Vendosni fjalën kyçe....

Monika Kryemadhi: Bajram Begajt i uroj suksese, Berisha t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese


Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka uruar suksese të zgjedhurit për president Bajram Begajt, megjithatë ka shprehur rezerva lidhur me procesin që çoi në zgjedhjen e tij.

E pyetur lidhur me përplasjen e mundshme mes kryedemokratit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta lidhur me çështjen e Begajt, Kryemadhi tha se nuk është juriste, që të diskutojë dekretet e Presidentit.

Sipas zonjës Kryemadhi, Berisha mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të qartësuar situatën.

“Për hir të së vërtetës nuk jam juriste konstitucionaliste, që të diskutoj dekretet e Presidentit nga ana kushtetuese. Mendoj që mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e cila do ta bënte cdo gjë më të qartë. Duke iu drejtuar asaj, marrin përgjigje dhe deklaratat e Berishës.

Nuk kam asgjë personale me Begajn, madje i uroj suksese në postin e tij të ri, por theksoj se të qenit President kërkon integritet, pavarësi veprimi e mendimi, si dhe atdhedashuri. Nuk e di nëse kjo do të jetë e mundshme për të, duke pasur parasysh një qeveri autokrate. I gjithë procesi ishte jokonsensual, përjashtues.

Kushtetuta thotë që nuk duhen përjashtuar palët, por duhen përfshirë në debat. Për mua mund të ishte President një gazetar, një analist që kishte pavarësi politike dhe integritet. Ajo që të bën përshtypje është verdikti i votës së maxhorancës, që i ka dhënë të drejtë të zgjidhet President pa konsensus.”- tha Kryemadhi.