Vendosni fjalën kyçe....

41-vjeçari përfundon në spital pas sherrit në lokal, arrestohet pronari i biznesit në Lushnjë


Një debat ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta në një lokal të Lushnjës.

Mësohet se një 41-vjeçar i identifikuar Gazmend Dedej ka përfunduar me plagë të rënda në spitalin rajonal për shkak të goditjeve me thikë, që ka marrë nga pronari i një lokali.

Pas marrjes së njoftimit se Dedej ka shkuar i plagosur në spitalin e Lushnjës, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe pas një pune intensive dhe veprimeve të mirëorganizuara u vu në pranga Agron Dervishi.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Janë të paraqarta motivet e konfliktit mes dy personave, por policia thotë se ngjarja ka ndodhur për “motive të dobëta”.

NJOFTIMI I POLICISË

Lushnjë/ Tentoi të vriste me thikë një shtetas, Policia zbardh ngjarjen, identifikon dhe kap autorin e dyshuar.

Arrestohet në flagrancë edhe një shtetas për moskallëzim krimi.

Pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës ka shkuar i plagosur shtetasi G. D., 41 vjeç, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe pas një pune intensive dhe veprimeve të mirëorganizuara u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit A. D., i cili në lagjen “20 Tetori”, në lokalin e tij, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë 41-vjeçarin.

Shtetasi G. D., ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. D., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale thika me të cilën dyshohet se ka kryer krimin dhe 1 shkop bejzbolli.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” shtetasin A. D., 49 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi A. T., 55 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ka qënë i pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk ka kallëzuar në organet kopetente krimin e ndodhur.