Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Gjirokastrës rrëzon prokurorinë, kërkon hetime shtesë për vdekjen e Kostandin Katsifas


Gjykata e Gjirokastrës ka kthyer mbrapsht kërkesën e prokurorisë për sa i përket vdekjes së Kostandin Katsifas në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ngjarje e ndodhur më 28 tetor 2018.

Gjykata ka urdhëruar kryerjen e veprimeve të tjera hetimore. Prokuroria e Gjirokastrës kishte arritur në përfundimin se Katsifas, kishte vrarë veten teksa ishte i rrethuar nga Forcat Renea duke kërkuar pushimin e çështjes.

Familjarët e të ndjerit kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes duke thënë se ai ishte qëlluar për vdekje nga policia shqiptare. Për ngjarjen në fjalë kanë shkruar edhe mediat e vendit fqinj, sipas të cilave qeveria greke ka urdhëruar ambasadën e saj në Tiranë që të ndjekë çështjen në fjalë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 tetor 2018, ku 35-vjeçari Katsifas qëlloi më armë automatike ndaj një patrulle policie në fshatin Bularat. Më pas ai u largua në drejtim të një kodre pranë fshatit, ku u rrethua nga Forcat Renea.

Pas disa orësh shkëmbimi zjarri me policinë, i riu humbi jetën. Familjarët e tij kanë akuzuar policinë se ka vrarë 35-vjeçarin ndërsa sipas prokurorisë së Gjirokastrës, Katsifas ka kryer vetëvrasje.