Vendosni fjalën kyçe....

Peng që prej 2017-ës, lirohet murgesha kolumbiane e rrëmbyer nga islamistët në Mali


Lirohet murgesha kolumbiane e cila ka qenë rrëmbyer nga islamistët në Mali katër vjet më parë.

Gloria Cecilia Narváez u mor peng në vitin 2017 ndërsa punonte si misionare në Koutiala, rreth 400 kilometra në lindje të kryeqytetit Bamako.

Fotografitë e postuara nga presidenca e Malit të shtunën treguan takimin e murgeshës françeskane me presidentin e përkohshëm Assimi Goita, të veshur me rroba të verdha dhe shami.

Nuk është e qartë nëse është paguar një shpërblim për të siguruar lirimin e saj apo jo. Në deklaratën e Presidencës, thuhet se lirimi i saj erdhi pas më shumë se katër vjet e gjysmë pas një “përpjekjeje të kombinuar të disa shërbimeve të inteligjencës“. Në njoftim vlerësohet “guximi dhe trimëria” e Motrës Gloria.

Kryepeshkopi i Bamakos, Jean Zerbo, gjithashtu konfirmoi lirimin e saj dhe u tha gazetarëve se ajo është mirë.

“Ne u lutëm shumë për lirimin e saj. Falenderoj autoritetet e Malit dhe njerëzit e tjerë të mirë që bënë të mundur këtë lirim.”– tha ai, citon BBC.

Kryepeshkopi Zerbo i tha agjencisë së lajmeve AFP se zonja Narváez tani do të udhëtonte për në Romë.