Vendosni fjalën kyçe....

Familja në Kuçovë terrorizohet nga personat me shkopa bejsbolli, 34-vjeçari: Policia s’po i arreston, kam frikë t’i lë prindërit vetëm


Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Kuçovës pak ditë më parë, ku një familje e tërë është dhunuar e terrorizuar nga 6 persona.

Denoncimi është bërë publik në media nga 34-vjeçari Arbër Liço. Në një prononcim për “News 24”, Liço ka deklaruar se 6 persona i kanë shkuar me shkopa bejsbolli në banesën e tij që ndodhet në lagjen “11 Janari” në Kuçovë dhe kanë tentuar me forcë të hyjnë brenda.

Ai tregon se ka mundur të mbyllë portën, por është qëlluar prej tyre me shkopa bejsbolli dhe shenjat e dhunës i ka ende në trup.

Pas ngjarjes, 34-vjeçari ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në banesën e tij. Më pas ai ka bërë edhe një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, përpara oficerit të Policisë Gjyqësore Dilaver Xhaferraj. Në kallëzimin e bërë në dt. 8.10.2021, në orën 19:30, Arbër Liço ka deklaruar se e di kush janë dhunuesit e tij.

Ai ka treguar se qenë duke u kthyer në Kuçovë me makinën e tij, kur në rreth-rrotullimin në hyrje të qytetit është ndaluar nga 2 persona, të cilët e kanë sharrë e kërcënuar. Ai ka dalë nga makina dhe ka njohur njërin prej tyre, që e identifikon me emrin Loni Malasi.

Pas konfliktit me dy personat, Liço thotë se situata është qetësuar dhe ai është larguar drejt banesën së tij. Por vetëm 30-minuta më vonë i ka ardhur në banesë Loni Malasi me të birin dhe 4 të tjerë, të cilët nuk i njeh me emra.

“Të gjithë, kanë rrahur, kanë kërcënuar e terrorizuar prindërit dhe nipin vetëm 4 vjeç si dhe kanë tentuar të më hyjnë me forcë në banesë”- tregon ai.

Arbër Liço e konsideron të turpshme nga ana e policisë, që pavarësisht denoncimit të tij, dhunuesit janë lënë të lirë: “Është e turpshme që policia e shtetit t’i shoqërojë personat që më dhunuar e kërcënuan familjen dhe më pas t’i lërë të lirë dhe për personat e tjerë që ishin me dy shtetasit që unë kam identifikuar të deklarojë se nuk i gjen dot. Personat janë të lirë dhe jeta e familjes sime është rrezik, prindërit e mi kanë frikë të dalin jashtë. Unë jetoj në Tiranë dhe pas kësaj që ndodhi kam frikë t’i lë prindërit vetëm e të largohem. Nuk kam pasur asnjëherë konflikte me askënd dhe nuk e kuptoj pse ka ndodhur e gjithë kjo ngjarje. Unë kërkoj që policia të më mbrojë familjen dhe të përgjigjen para ligjit agresorët që më dhunuar e kërcënuan me jetë mua dhe familjen time, persona që policia i shoqëroi vetëm 2-orë dhe i la të lirë.”