Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen pas samitit: BE-ja e paplotë pa Ballkanin Perëndimor, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të zgjidhin problemin që të nisin negociatat


Pas samitit të Ballkanit Perëndimor-BE, që u mbajt sot në Slloveni, presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen theksoi se BE ka treguar mungesa në procesin e integrimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ajo përsëriti deklaratat se BE-ja është e paplotë pa këto vende.

 “Do doja të reflektoja për samitin e Ballkanit Perëndimor. Mesazhi është shumë i qartë, ndajmë të njëjtën histori, kemi të njëjtat interesa dhe të njëjtat vlera. BE nuk është i plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, ndaj do të vazhdojmë punën për të avancuar në procesin e zgjerimit të BE.

Qëllimi ynë është zgjerimi. Plani ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe është në qendër të angazhimit tonë në rajon. Kemi një plan të madh, me 30 miliardë euro për rajonin. Duhet një treg i përbashkët rajonal. Javën e kaluar kam udhëtuar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kem diskutuar për këtë çështje. Ndjeva padurimin e popujve nga zgjatja e procesit të zgjerimit, pasi dëshira e tyre është që të jenë pjesë e BE.

Sa i përket reformave, është e qartë se partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po ndërmarrin reforma të rëndësishme, është bërë shumë progres dhe është i dukshëm. Duhet të theksojmë reformat, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, lirisë së medias dhe zhvillimin ekonomik.

Por, edhe BE duhet të bëjë më shumë. Ka treguar mungesa në procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duhet të ecim përpara në këtë proces, ta qartësojmë. Po bëhet një punë intensive nga Komisioni Evropian për çështjet kryesore, që është edhe çështja bilaterale mes RMV dhe Bullgarisë. Shpresoj që ata ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem dhe të ecin përpara.”– u shpreh zonja Von Der Leyen.