Vendosni fjalën kyçe....

Helidon Bushati: Fituesit e 7 loteve të Unazës janë të paracaktuar, ARRSH po vonon të shpallë rezultatet


Deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati ka denoncuar sipas tij një tjetër skandal korrupsioni në Unazën e Madhe të Tiranës.

Në një postim në “Facebook”, Bushati thotë se fituesit e 7 loteve të Unazës, janë të paracaktuar. Bushati i cili është edhe anëtar i Komisionit të Veprimtarisë tha se procedurat tenderuese janë mbyllur me 15 shtator dhe se ARRSH-ja po vonon të shpallë rezultatet.

Ai shprehet se tenderat e Unazës se Madhe, janë “një pazar i shëmtuar” i ARRSH-së me kompanitë në pronësi të njerëzve të lidhur me qeverinë.

Denoncimi i Bushatit:

Unaza e Madhe, është kthyer në një mal të vërtetë korrupsioni, ku ARRSH ushqen me miliarda klientët e qeverisë.

Fituesit e 7 loteve të Unazës, duken qartë se janë të paracaktuar.

Procedurat tenderuese janë mbyllur me 15 shtator dhe ARRSH-ja, vonon të shpallë rezultatet.

Natyrshëm lindin një seri pyetjesh:

– Pse vonohet ARRSH-ja në shpalljen e këtyre rezultateve?

– Mos vallë po gatit çorbën e radhës për t’u siguruar që tenderat shkojnë tek fituesit e paracaktuar ashtu siç është përfolur?

– A mos ka ndonjë fitues të paracaktuar që nuk ka arritur të dorëzojë dokumentat e tenderit?

– Mundet vallë që të anullohet ndonjë nga këto tendera për të siguruar mbushjen e premtimeve ndaj fituesve të paracaktuar?

Tenderat e Unazës së Madhe, janë një pazar i shëmtuar i ARRSH-së me kompanitë në pronësi të njerëzve të lidhur me qeverinë.  7 segmente rrugore të njëpasnjëshme, nga të gjitha anët janë të ngjashëm njëri me tjetrin por kriteret e vendosura janë jashtëzakonisht të ndryshme nga njëri tjetri, kritere që plotësohen vetëm nga fituesit e paracaktuar.

Kështu në Lotin 1,i cili është edhe ai që ka vlerën më të madhe prej 2.5 miliard lek të reja, është edhe loti i cili në absolut kërkohet numri më i ulët i punonjësve 145, stafit kryesor  6, kamionëve 10 dhe eskavatorëve 4.Ndërkohë që në lotin 6 që ka vlerën më të ulët, 1.8 miliard lek të reja, kërkohen 250  punonjës, 9 staf kryesor, 21 kamiona dhe 9 eskavatorë.

Ndërkohë kur vendi po zhytet në varfëri dhe shtresa e të varfërve po rritet në mënyrë të frikshme, qeveria shqiptare ndan nën rrogoz tendera për kompanitë që gllabëronjë parat e qytetarëve.

Partia Demokratike por dhe Institucionet ndërkombëtare, kanë shprehur në mënyrë të vazhdueshme kritikat e tyre ndaj mungesës së konkurrencës dhe transparencës në tenderat e zhvilluar në Shqipëri.

E pyesim ARRSH-në: A do të anullohet Loti 1 i parashikuar për një ndër klientët më të afërt të Kryeministrit që aktualisht po punon në segmente të Unazës së Re në ndërtim e sipër?

Përse Loti 1 nuk shfaqej dhe nuk shfaqet fare në faqen elektronike të Agjensisë së Prokurimit?

A do të ndodhë ky fenomen me Lotin 1 sepse kjo kompania e paramenduar të fitojë harroi të dorëzojë letrat në këtë tender?

Po me Lotin 3 “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana” çfarë do të ndodhë?  A do t’i jepet edhe ky tender dy kompanive të paracaktuara?

Cdo qytetar edhe ai që nuk ka ekspertizë në këtë fushë e kupton që këto kritere janë vënë për të paracaktuar fituesin e radhës.

Ka shembull pas shembulli që vërteton paracaktimin e fituesve.

Çfarë do të bëjë ARRSH-ja për të mbajtur premtimet ndaj kompanive të paracaktuara fituese?