Vendosni fjalën kyçe....

Kriza Energjetike/ Arben Ahmetaj: Brenda javës Rama do shpalosë planin për mbrojtjen e konsumatorëve, JO nuk kemi rritje të çmimeve të energjisë elektrike


Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ka dalë në një deklaratë për mediet ku ka folur për situatën energjetike në vend.

Ai bëri me dije se në ditët në vazhdim, kryeministri Edi Rama do të shpalosë një paketë për mbrojtjen e konsumatorit familjar dhe biznesit të vogël.

“Siç tashmë është traditë për disa mbledhje qeverie, anëtarët e kabinetit pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave do vazhdojnë të informojnë publikun, qytetarët mbi vendimet e marra në mbledhje.

Do e nis me 1 informacion sa i takon situatës energjetyike në vend, unë kam bërë një informacion për kabinetin mbi situatën energjetike në vend. Sigurisht që situata në vend është konsekuesncë e situatës së krizës energjetike globale. Ne fatmirësisht kemi zgjedhur 30 vite më parë të jemi në një ekonomi tregu, ku ekonomia e tregut ndikohet nga lëvizja globale e çmimeve të mallrave apo shërbimeve, e sidomos kur janë të kuotuara në bursa, apo kur janë drejtpërdrejt të lidhura me prodhimin dhe nevojat për import siç është energjia elektrike.

Ju tashmë e keni dëgjuar, lexuar, shumëkush e ka studiuar se çfarë po ndodh në tregun ndërkombëtar të Energjisë Elektrike. Një kombinim tërësor faktorësh ekonomikë dhe komercialë, si shtimi i kërkesës për energjike për shkak të rritjes në Kinë, për shkak të sjelljes së Rusisë…

Ndërkohë një pjesë e mirë e vendeve e kanë transferuar koston tek konsumatorët. Kryeministri ka ngritur një grup institucional për të menaxhuar, monitoruar çdo moment ecurinë e situatës energjetike dhe do i referohem asaj që kryeministri ka thënë para disa ditësh se vala e rritjes së çmimeve ndërkombëtare sigurisht që prek edhe brigjet e Shqipërisë por ne jemi të bindur, të gatshëm, që të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Dua ta ndaj këtë me qytetarët.

Kryeministri brenda javës do shpalosë vetë masat për mbrojtjen e qytetarëve, por në nevojë të informimit publik dhe qetësimit të tyre, ne do vazhdojmë ta mbrojmë konsumatorin familjar dhe sipërmarrësin e vogël nga kriza energjetike, rritja e çmimeve dhe rritja e kostos për shkak të këtyre çmimeve.

Në të njëjtën kohë dua të ndaj me ju, që ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, kompanitë janë duke punuar çdo minutë për të garantuar furnizim të pandërperë të energjisë dhe akses në tregun ndërkombëtar për të arritur për të blerë energji në mënyrë të vazhdueshme.

Është e garantuar dhe qytetarët do të vazhdojnë të mbrohen nga situata emergjente, nga kriza energjetike.

Paketa specifike do të lancohet nga kryeministri në ditët që vijnë. Dua ta ritheksoj për qytetarët. Kryeministri ka ngritur një grup ndërinstitucional që monitoron situatën çdo ditë.”– tha Ahmetaj.

Ndërkohë, ndërsa i përgjigjes pyetjeve të gazetarëve, Ahmetaj theksoi se në vendin tonë ende nuk ka çmime të rritura të energjisë elektrike.

“Do doja ta korrigjoja një togfjalësh që ju përdorët që çmimet e energjisë elektrike nuk po rriten. Kemi ndonjë çmim të rritur? Jo. Ne po e monitorojmë përditë dhe kryeministri do të dalë me një paketë të plotë me ditët që do të vijnë, priteni atë paketë. Është një paketë mbështetëse.“– deklaroi Ahmetaj.