Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku kundër emërimit të Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës: Shkoi deri në Strasburg për t’i bërë shantazh gjyqtarëve, po finalizohet kapja e institucioneve


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur kundër kandidaturës së Denar Bibës për të marrë drejtimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Në një fjalim nga foltorja e Kuvendit, Tabaku shprehet se me votimin e Bibës finalizohet dhe procesi i kapjes së institucioneve.

“Na kanë votuar 600 mijë qytetarë, dhe ata e meritojnë që të kemi një pozicion. Me pozicionin e Denar Bibës, përfundojmë procesin e kapjes përfundimtare të institucioneve shtetërore. Për mua, kjo është e paprecedentë, që opozita të mos ketë pasur asnjë përfaqësi. Por nuk është çudi se si ka funksionuar kjo qeveri gjatë këtyre 8 viteve. Në emër të PD, deklaroj votën kundër për pozicionin që do të zërë zoti Denar Biba. Kisha shpresuar që të mos na sfidonit me këto vendime.”– tha Tabaku.

Ajo ka përsëritur akuzat ndaj Denar Bibës se ka shkuar deri në Strasburg dhe u ka bërë shantazh gjyqtarëve lidhur me ligjin e pronave të Shqipërisë.

“Dua të ndalem në dy momente kryesore. Autoriteti i Konkurrencës është institucioni kryesor për mbrojtjen e konkurrencës në treg. Ky institucion ka dështuar. Ne në komision presim kryetaren e Autoritetit të konkurrencës dhe sot e dy muaj është ende e infektuar me koronavirus. Nuk kemi asnjë vendim në të mirë të qytetarëve për rritjen e çmimeve të ushqimit. Në rolin e këtij institucioni, sot në Ditën e Luftës kundër Korrupsionit, Kuvendi do të miratojë zotin Denar Bibën.

Unë nuk e njoh fare zotin Denar Biba dhe nuk e kam takuar asnjëherë. Por unë di pozicionin e tij që shkoi në Strasburg për t’i bërë shantazh gjykatësve për të mbrojtur ligjin antikushtetues të pronave në Shqipëri. Di raportet ndërkombëtare të BE, Gjykatës së Auditit, Departamentit të Shtetit që sot sektori më i korruptuar ai i Prokurimeve Publike. Atij i kanë kërkuar të bëjë diçka dhe ai e ka bërë. Sot qeveria po i var mëlçitë në qafë ujkut.”– tha Tabaku.