Vendosni fjalën kyçe....

Zuckerberg kërkon falje për ndërprerjen 6-orëshe të rrjeteve të tij sociale


Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg ka kërkuar falje për “shkëputjen” e shkaktuar pasi shërbimet e tij të mediave sociale u ndërprenë për gati gjashtë orë – duke ndikuar te më shumë se 3.5 miliardë përdorues në të gjithë botën.

Miliarderi tha se kërkonte falje pasi një çështje e brendshme teknike i la jashtë funksioni për 6 orë me radhë rrjetet sociale Facebook, Messenger, Whatsapp dhe Instagram të hënën.

Përpjekja për t’i rikthyer ato përfundoi me sukses rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Për orë të tëra, miliarda njerëz e gjetën veten pa mediet sociale në të cilat mbështeteshin për të mbajtur kontakte me miqtë dhe familjen.

Ndërkohë, bizneset në të gjithë botën, të cilat përdorin mediat sociale për t’u lidhur me klientët, u përballën me një goditje financiare të papritur.

Siç shkruan BBC, vetë Zuckerberg mendohet se ka humbur rreth 6 miliardë dollarë nga pasuria e tij personale, pasi aksionet e Facebook ranë pas këtij incidenti.

Facebook më vonë tha kishte patur një ndryshim të gabuar të konfigurimit, i cili jo vetëm që ndikoi në faqet e internetit dhe aplikacionet, por gjithashtu edhe në mjetet e brendshme të kompanisë. Facebook tha se nuk kishte “asnjë provë që të dhënat e përdoruesve ishin komprometuar”.