Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria nxjerr raportin mbi shkaqet e shpërthimit të zjarrit në Spitalin e Tetovës


Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ka publikuar sot raportin për zjarrin që shpërtheu në spitalin e këtij qyteti, më 8 shtator.

Sipas këtij raport, zjarri që i mori jetën 14 personave shpërtheu nga një kabllo vazhduese, ku ishte vendosur defibrilatori – një pajisje për trajtimin e pacientëve në rast të ndonjë sulmi kardiak.

“Mbinxehja e kabllos shkaktoi zjarrin në kutinë ku ishin të lidhur defibrilatori, karikuesi i telefonit celular dhe një pajisje tjetër.”- thuhet në raportin e Prokurorisë.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas analizave të tyre, është konfirmuar ekzistimi i qarkut të shkurtër elektrik.

“Nga analizat është konfirmuar se zjarri ka shpërthyer si pasojë e qarkut të shkurtë elektrik, për shkak të presionit të madh nga defibrilatorët e kyçur, me të cilët është bërë reanimacion i pacientëve në njërën nga dhomat e spitalit. Presioni mbi kabllon ka shkaktuar zjarr në prizën elektrike, në të cilën kanë qenë të kyçur defibrilatori, një mbushës telefoni dhe një aparat tjetër.”- thotë njoftimi, citon Tetova Sot.

Prokuroria tha se po vazhdon të hetojë edhe shkaktarët e tjerë të mundshëm.

Lidhur me ngjarjen kanë dhënë dorëheqjen ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, zëvendësministri Ilir Hasani, si dhe dy drejtorë të spitalit të Tetovës. Megjithatë, kryeministri Zoran Zaev ende nuk i ka pranuar dorëheqjet e tyre, duke thënë se po pret të lexojë raportin përfundimtar dhe se do e japë më vonë qëndrimin e tij.