Vendosni fjalën kyçe....

14 viktima në zjarrin që shkrumboi spitalin Covid në Tetovë


Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë pohuar se nga zjarri që dogji spitalin Covid në Tetovë kanë humbur jetën 14 persona.

Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, ku një spital ku ndodheshin të shtruar 24 persona të prekur nga koronavirusi i ri u përfshi nga flakët duke çuar në 14 viktima e disa të lënduar.

Prokuroria e vendit fqinj ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e flakëve si dhe përgjegjësit e mundshëm, pasi paraprakisht dyshohet se spitali ka pasur probleme strukturore.

Për një pjesë të viktimave do kruhen analizat ADN për të përcaktuar identitetin e tyre. Deri tani nuk raportohet për personel mjekësor mes viktimave.

“Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, shkruan Alsat.