Vendosni fjalën kyçe....

Pas 1 viti në arrati, arrestohet 36-vjeçari në Kavajë i akuzuar për “tentativë vrasjeje”


Policia në Kavajë ka vënë sot në pranga një 36-vjeçar, i cili rezulton i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.

I dyshuari me inicialet E.C., akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Mësohet se Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg” për 36-vjeçarin e dyshuar.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. C, 36 vjeç, banues në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, i ka vendosur në mungesë masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Vrasje me paramendim’ e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Armëmbajtja pa leje’.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Ngjarja për të cilën akuzohet 36-vjeçari ka ndodhur me datë 24 maj 2020, në lagjen Nr.1, Kavajë.

Ai dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin me inicialet M. Xh, 30 vjeç.