Vendosni fjalën kyçe....

Osmani: Serbia burim destabilizimi në rajon, ndërkombëtarët t’i kundërvihen


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot takime me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, shefin e Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici, për të diskutuar në lidhje me sigurinë pas tensioneve në Veri të Kosovës.

Presidentja ka deklaruar se Kosova nuk është duke e provokuar situatën e sigurisë, përveçse duke zbatuar ligjin.

“Policia e Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallim. Ajo ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, e cila po dëshmon profesionalizëm  në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”, është shprehur kryetarja e shtetit.

Po ashtu Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se Serbia është burim i destabilizimit në rajon dhe ka ftuar Bashkësinë ndërkombëtare t`i kundërvihet përpjekjes së tillë.