Vendosni fjalën kyçe....

Berisha tha se do hedhë në gjyq Blinken-in, DASH: Nuk jemi në dijeni të ndonjë padie gjyqësore


Ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se do të ngrinte një padi për shpifje ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pasi ky i fundit e shpalli atë non-grata për akuza korrupsioni.

Në përgjigje të kësaj deklarate të Berishës, vjen një reagim nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Zëri i Amerikës në një postim në llogarinë zyrtare në “Twitter”, raporton se një zëdhënës i DASH-it, ka thënë se “nuk janë në dijeni të ndonjë padie gjyqësore”.

Në një konferencë për shtyp ditën e djeshme, Berisha tha se kishte udhëzuar avokatin e tij francez Jean-Yves Le Borgne për të ngritur një padi kundër Blinken në gjykatën Korreksionale të Parisit, pasi Berisha e cilësoi Francën si një vend neutral në lidhje me këtë çështje: “Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, si Franca që të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike”.

Berisha u shpreh se ai u detyrua të ndërmerrte një veprim të tillë, për shkak të “dinjitetit të nëpërkëmbur”, por theksoi se “në mënyrë kategorike ky nuk është një akt kundër SHBA-ve, për të cilat ushqej të njëjtat ndjenja por ndaj një njeriu i cili pa rreshtuar as prove, fakt apo argument, ka ngritur akuza që nuk mi kanë ngritur askush kurrë ndaj meje, as kundërshtarët më të egër”.

Përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, DASH shpalli non-grata edhe gruan e tij zonjën Liri Berisha, si dhe dy fëmijët e tyre Argita dhe Shkëlzen Berisha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *