Vendosni fjalën kyçe....

“19 vrima në makinë” – Atentat ndaj këshilltarit kryesor të Presidentit të Ukrainës (FOTOT)


Qëllohet me breshëri armësh makina me të cilën udhëtonte ndihmësi kryesor i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Këshilltari Serhiy Shefir për fat të mirë ka arritur t’i shpëtojë këtij atentati, mirëpo shoferi i tij ka mbetur i plagosur.

Reuters raporton se më shumë se 10 plumba e goditën makinën pranë fshatit Lesnyky, që ndodhet rreth 5 km jashtë kryeqytetit Kiev. Policia ukrainase tha se si pasojë ka mbetur i plagosur shoferi që drejtonte makinën, ndërsa ka hapur çështjen penale me dyshimin për vrasje me paramendim.

Një stacion televiziv lokal tha se të paktën 19 vrima plumbash mund të shiheshin në anën e shoferit të makinës.

Presidenti Zelenskiy, i cili erdhi në pushtet me një premtim për të dalë kundër oligarkëve të vendit dhe për të luftuar korrupsionin, është aktualisht në Shtetet e Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së.

Zyra e tij tha se Zelenskiy ishte informuar për atentatin dhe do të komentonte së shpejti.