Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja mbështet Francën në përplasjen me Britaninë dhe SHBA-të për nëndetëset e Australisë


Ministrat e Jashtëm evropianë shprehën solidaritetin e tyre me Francën, e cila reagoi pasi Australia anuloi një kontratë për nëndetëse me Parisin në favor të një aleance të re të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.

Njoftimi erdhi nga shefi i politikave të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, pas diskutimeve lidhur me ngërçin diplomatik.

Shpallja e aleancës së mbrojtjes mes këtyre tri vendeve javën që shkoi, përkoi me ditën kur ne po prezantonim strategjinë tonë të Indo-Paqësorit. Sigurisht ne u kapëm në befasi nga ky njoftim që erdhi së bashku me anulimin e kontratës së nëndetëseve me Francën nga qeveria australiane. Pas diskutimeve, nga ministrat e jashtëm kjo vlerësohet si zhgënjyese. Ata shprehën solidaritet të qartë me Francën sepse kjo marrëveshje bie ndesh me thirrjet për bashkëpunim më të madh me Bashkimin Evropian në Indo-Paqësor”, tha Borell.

Javën që shkoi, Presidenti Joe Biden njoftoi aleancën e re që përfshinë Britaninë, një marrëveshje që i siguron Australisë të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore duke zëvendësuar 12 modele konvencionale me naftë që do të ndërtoheshin nga Franca.

Marrëveshja mes Francës dhe Australisë kapte vlerën e 70 miliardë dollarëve.

Parisi reagoi duke thirrur ambasadorët e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia.

Presidenti Biden të martën takohet në Nju Jork me kryeministrin australian Scott Morrison dhe atë britanik Boris Johnson.

Jo, nuk do të kemi rast të flasim këtë herë me Presidentin francez Macron. Jam i bindur që kjo mundësi do të vijë me kohë. Unë e kuptoj zhgënjimin. Ata po punojnë përmes konsultimeve me ambasadorin e tyre i cili është kthyer në Paris. Do të jemi të durueshëm”, tha kryeministri Australian Scott Morrison.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden do të zhvillojë një telefonatë me homologun francez, Presidentin Emmanuel Macron.

Ajo nuk pranoi të thotë nëse administrata Biden do të bëjë ose jo ndonjë kompensim ndaj Francës.