Vendosni fjalën kyçe....

‘Thikë pas shpine’ – Franca tërheq ambasadorin në SHBA, protestë ndaj marrëveshjes 40 miliardë dollarëshe të Biden me Australinë për nëndetëset


Franca njoftoi të premten tërheqjen e menjëhershme të ambasadorit të saj në Shtetet e Bashkuara, Philippe Etienne, në shenjë proteste ndaj njoftimit të Presidentit Biden për një marrëveshje për të furnizuar Australinë me nëndetëse me energji bërthamore pa u këshilluar me zyrtarët francezë.

Në një deklaratë, ministri i Jashtëm francez tha se vendimi u mor nga Presidenti francez Emmanuel Macron, shkruan New York Times.

“Me kërkesë të Presidentit të Republikës, kam vendosur të tërheq menjëherë dy ambasadorët tanë në Shtetet e Bashkuara dhe Australi në Paris për këshillime,” tha Jean-Yves Le Drian, ministri i Jashtëm.

“Ky vendim i jashtëzakonshëm justifikohet me rëndësinë e jashtëzakonshme të njoftimeve të bëra më 15 shtator nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara.” – shtoi ai.

Çfarë çoi në tensionimin e marrëdhënieve

Ditën e djeshme Australia vendosi të hedhë poshtë një marrëveshje të vitit 2016 me Francën për nëndetëse me vlerë 40 miliardë dollarë.

Kryeministri australian Morrison tha se vendi do blejë të paktën 8 nëndetëse bërthamore me teknologji amerikane e britanike duke theksuar se Franca ishte njoftuar më herët për këtë gjë.

Parisi zyrtar mohoi të jetë njoftuar për prishjen e marrëveshjes me ministrin e Jashtëm Le Drian që e quajti veprimin, ‘thikë pas shpine’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani