Vendosni fjalën kyçe....

Furtunë korrupsioni në Bankën Botërore dhe FMN


Nga Klodian Tomorri

Sot Banka Botërore është zhytur në një skandal të paprecedent korrupsioni, teksa një hetim i pavarur ka gjetur se Banka ka manipuluar renditjen e raporteve Doing Business të viteve 2018 dhe 2020 për të favorizuar Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në skandal është përfshirë drejtpërdrejtë ish-Presidenti i Bankës Botërore Yong Kim dhe shefja aktuale e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, në atë kohë drejtoreshë ekzekutive e Bankës Botërore.

Raporti i vitit 2018 e nxirrte Kinën me renditje të përkeqësuar krahasuar me një vit më parë për klimen e biznesit. Por ish-presidenti Kim dhe Georgieva kanë ndërhyrë drejtpërdrejtë tek stafi i raportit për të manipuluar renditjen me qëllim që Kina të ngjitej më lart. Kjo pasi nëse Kina do të renditej keq, atëherë ajo mund të reduktonte angazhimet dhe financimet ndaj Bankës Botërore.

Kim tashmë nuk është më president i Bankës Botërore. Por Georgeva është shefja e FMN-së. Me gjasa zbulimi i skandalit do të shkaktojë tërmet në FMN dhe Bankën Botërore, ku nuk përjashtohet dorëheqja e Georgevës. Ndërkohë, Banka Botërore njoftoi se ka ndërprerë publikimin e Doing Business deri në një afat të papërcaktuar.

Këta i paskan bërë renditjet me korrupsion, ndërkohë që kur je në raportet e Doing Business gjithandej shndërrohesh në çeshtje politike brenda vendit. E bukura është se Banka Botërore ka dhe programe për të luftuar korrupsionin e qeverive nëpër vendet si Shqipëria.