Vendosni fjalën kyçe....

Kosova prezantohet në Festivalin e Filmit të Venecias me filmin “Vera Andrron Detin”


Filmi “Vera Andrron Detin” i regjisores Kaltrina Krasniqi, me skenar nga Doruntina Basha, do të jepet premierë botërore në një nga festivalet më prestigjioze në botë, atë të Festivalit të Filmit të Venecies.

“Vera Andrron Detin” është në konkurrencë zyrtare në programin “Orizzonti”, ndërsa president i jurisë është regjisorja boshnjake, Jasmila Zbaniç.

Filmi është nominuar në disa kategori, atë të “Filmit më të mirë”, “Regjisë më të mirë”, “Çmimin special të jurisë”, “Aktori dhe aktorja më e mirë” si dhe “Skenari më i mirë”.

Ky prodhim kinematografik është një film i metrazhit të gjatë me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit.

Në film përditshmëria e qetë e Verës (64) çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Filmi përbëhet prej një kasti aktorësh ku bëjnë pjesë; Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e disa të tjerë.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.