Vendosni fjalën kyçe....

“E gjithë vëmendja te pandemia po kushton mijëra jetë pacientësh të prekur nga sëmundje të tjera” – Fondi Global


Zhvendosja e burimeve të kujdesit shëndetësor për të luftuar Covid-19 ka bërë që shumë njerëz në vendet e varfra të mos trajtohen për sëmundje të tjera, duke sjellë mijëra vdekje të tepërta, tha një financues kryesor i programeve të tuberkulozit dhe AIDS.

Vlerësimi i zymtë u përfshi në një raport të postuar të mërkurën nga Fondi Global me bazë në Gjenevë, i cili tha se ndërprerjet e shkaktuara nga pandemia kanë pasur një ‘ndikim katastrofik’ në luftën kundër tuberkulozit, i cili zakonisht vret më shumë njerëz globalisht çdo vit se çdo tjetër semundje infektive. Është vlerësuar se tuberkulozi ka vrarë qindra milionë persona në 200 vitet e fundit.

Drejtori i Fondit Global, Peter Sands, i tha Reuters se në disa vende, të tilla si ato në rajonin Sahel të Afrikës, fokusi te Covid-19 mund të vrasë më shumë persona që vuajnë nga tuberkulozi e AIDS, sesa numri i vdekjeve të pandemisë. Bllokimet kanë prishur disa shërbime, tha ai, ndërsa burimet e kujdesit shëndetësor në vende të tilla si India dhe Afrika u zhvendosën krejtësisht në trajtimin e Covid-19.

“Në thelb, rreth një milion njerëz më pak u trajtuan për tuberkuloz në vitin 2020 sesa në vitin 2019, dhe kam frikë se kjo do të thotë në mënyrë të pashmangshme që qindra mijëra njerëz do të vdesin,” tha Sands.

Numri i njerëzve të trajtuar për tuberkuloz rezistent ndaj ilaçeve në vendet ku fondi investon ka rënë me 19% në vitin 2020, ndërsa për ata me AIDS ka rënë 11%.