Vendosni fjalën kyçe....

Hiqet statuja e Kristofor Kolombit në kryeqytetin e Meksikës, do zëvendësohet nga ajo e një gruaje autoktone


Kryebashkiakja e kryeqytetit të Meksikës, Meksiko, Claudia Sheinbaum, tha se një statujë e Kristofor Kolombit do të ndërrohet me atë të një gruaje autoktone nga qytetërimi Olmec.

Sheinbaum njoftoi të dielën se zëvendësimi i eksploruesit italian nuk ishte një përpjekje për të fshirë historinë, por për të bërë ‘drejtësi sociale’. Sheinbaum e bëri deklaratën në një ceremoni që shënoi ditën ndërkombëtare të gruas autoktone.

Ajo tha se statuja ‘nuk do të fshihet’, por se kultura indigjene duhet të marrë një njohje më të madhe. Skulptori Pedro Reyes është duke punuar mbi statujën që do zëvendësojë Kolombin, që do të jetë e një gruaje nga qytetërimi Olmec, i përhapur në Gjirin e Meksikës nga viti 1200 para Krishtit deri në 400 para Krishtit.

Statuja e Kolombit e shekullit të 19-të ka munguar në vendin e saj të zakonshëm që nga tetori i vitit të kaluar, kur u hoq ‘për qëllime restaurimi’ dy ditë para një proteste që shënonte ardhjen e eksploruesit në 1492. Para heqjes së statujës, ajo ishte lyer me bojë gjatë protestave të tjera.