Vendosni fjalën kyçe....

9 të arrestuar në Lezhë, Elbasan e Fier, u kapet drogë e lojëra fati pa leje


Nëntë persona janë arrestuar nga policia në Lezhë, Elbasan e Fier.

Në Lezhë janë ndaluar pronarët e dy lokaleve, 38-vjeçari Idriz Kaloçi e 27-vjeçari Meqan Mlika. Ata akuzohen se lejonin në mjediset e lokaleve të tyre lojëra fati në mënyrë të paligjshme.

Tre persona u ndaluan në Elbasan pasi akuzohen për shitje lëndësh narkotike. Në pranga kanë rënë 31-vjeçari Ahmet Kushi, 39-vjeçari Aleksandër Hazizaj e 32-vjeçari Besmir Duka.

Gjatë kontrollit në banesat e Kushit e Hazizajt është gjetur lëndë narkotike e dyshuar heroinë e ndarë në doza, municion luftarak, kokrra të dyshuara metadoni si dhe një sasi të hollash.

Në Fier janë ndaluar 26-vjeçari Medjon Karaman e 56-vjeçari Mario Karamani pasi u janë gjetur doza me lëndë narkotike e dyshuar heroinë.

Njoftimi Lezhë

“Policia e Lezhës ka arrestuar pronarëve të dy lokaleve në qytet pasi organizonin në kundërshtim me ligjin, lloto në lokalet e tyre nëpërmjet aplikacioneve të posaçme në celularë. Policia tha se kishte konstatuar në lagjen “Skënderbeg”, Lezhë, dy lokale ku ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të  fatit, ndaj edhe ka bërë arrestimin e menjëhershëm të administratorëve të tyre: Idriz Kaloçit, 38 vjeç dhe Meqan Mlikës, 27 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” të qytetit. Të dy pronarët e lokaleve janë kapur në flagrancë nga Policia në ambientet e lokaleve të tyre duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit me anë të aplikacioneve në celularë. Atyre iu sekuestruan 5 pajisje elektronike për lojëra fati, 6 aparate celular dhe një shumë parash. Dosjet e tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë me katër akuza për secilin: “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Njoftimi Elbasan

“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, gjatë kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit:

Ahmet Kushi, 31 vjeç, Aleksandër Hazizaj, 39 vjeç dhe Besmir Duka, 32 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “5 Maji”, Elbasan, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Ahmet dhe Aleksandër (vëllezër), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, 3 aparate celular, një peshore të vogël që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, një sasi municioni luftarak, kokrra të bardha të dyshuara si metadon dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.”

Njoftimi Fier

“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore për dy shtetas që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetin e Fierit, është organizuar puna për goditjen dhe dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Fier, në lagjen “Sheq i Madh” Fier, kapën me një sasi lëndë narkotike e dyshuar heroinë e ndarë në doza gati për shitje, shtetasin Medjon Karamani (Sulko), 26 vjeç, banues në Bitaj, Kolonjë, Lushnjë.Gjithashtu, në vijim të veprimeve operacionale, u kap në flagrancë në banesën e tij në fshatin Bitaj, edhe shtetasi Mario(Barjam) Karamani, 56 vjeç, me një sasi lëndë narkotike e dyshuar heroinë e gatshme për t’u shitur.Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Vjedhja”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike e dyshuar heroinë, një automjet tip “BMW”, 4 aparate celularë, si dhe 4 palë targa të automjeteve të ndryshme të dyshuara të vjedhura.”

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin B. K., 36 vjeç, banues në fshatin Sheq Marinëz, Fier, pasi në fshatin Sheq Marinëz, në dyqanin në pronësi të shtetasit E. G., 51 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta i ka shkatërruar sendet në dyqan dhe ka tentuar ta godasë me mjetë prerës (thikë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Po nga këto struktura, u arrestua për veprën penale “Përndjekja” shtetasi Dh. (E). D., 34 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një shtetase 37 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për veprime të mëtejshme.”