Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Do ndërtojmë Platformë Qytetare për Demokracinë, hapja në qendër të reformimit të PD-së


Kreu i PD-së Lulzim Basha ka shkruar një mesazh pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Basha e cilëson një ditë të rëndësishme për Partinë Demokratike për zgjedhjen e kryesisë dhe ekipit të ri.

Kryedemokrati thekson se ndërtohet një Platformë Qytetare për Demokracinë e cila do jetë për zgjedhje të lira dhe ndryshime kushtetuese të cilat do përmirësojnë përfaqësimin politik dhe do reformojnë ndarjen territoriale.

“E sotmja është një ditë e rëndësishme për Partinë Demokratike. Demokratet dhe demokratët i dhanë besimin Kryesisë dhe ekipit të ri për të çuar përpara një sfidë që nuk është thjesht partiake, por kombëtare, atë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Hapja dhe bashkëpunimi i Partisë Demokratike me shoqërinë do të jenë në qendër të reformimit tonë të brendshëm dhe bashkë me shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim, do të ndërtojmë një Platformë Qytetare për Demokracinë, për zgjedhje të lira, për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor. Vetëm kështu mund t’i japim fund kapjes së shtetit dhe sundimit të kësaj pakice të korruptuar e ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm për familjet shqiptare”-shkruan Basha.