Vendosni fjalën kyçe....

Vetëvendosje dënon sulmin me eksploziv ndaj makinës së Elton Debreshit: Taktika mafioze, dhuna ndaj minatorëve e strukturuar


Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka dënuar ngjarjen e ndodhur në Bulqizë, ku mjetit të kreut të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar, Elton Debreshi, iu vu eksploziv.

Në reagim i bëhet thirrje prokurorisë që të zbardhë sa më parë ngjarjen e rëndë ndërsa theksohet se sulmi ndaj Debreshit mund të ketë si synim përhapjen e terrorit.

Po kështu Vetëvendosje thekson se në vitin 2019, Debreshi e kolegët e tij sindikalistë janë pushuar nga puna nga kompana ‘Albchrome’ e Samir Manes.

“Dënojmë krimin dhe terrorin e drejtuar ndaj sindikalistit Elton Debreshi. Në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi eksplozivi ka shpërthyer automjetin e Elton Debreshit, minatorit që drejton Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar në Bulqizë, dhe ish-kandidat i pavarur për deputet. Automjeti ka qenë pranë shtëpisë së tij, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. Shprehim solidaritetin me z. Debreshi, familjen dhe kolegët e tij, duke e dënuar këtë krim që duket se tenton të godasë më gjerë edhe sindikalizmin dhe aktivizmin në Shqipëri. Organet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë duke bërë zbardhjen e plotë të këtij akti që përveç sulmit ndaj Elton Debreshit mund të ketë si synim edhe përhapjen e terrorit më gjerë. Në vitin 2019, Elton Debreshi dhe disa prej kolegëve të tij sindikalistë janë pushuar nga puna nga kompania “AlbChrome” në pronësi të Samir Manes, për shkak të angazhimit të tyre sindikalist. Këtë javë kolegu sindikalist i Elton Debreshit, minatori Beqir Duriçi, gjithashtu i pushuar nga puna, ka fituar gjyqin në shkallën e parë për dëmshpërblim nga kompania “AlbChrome”. – thuhet në reagim.

Me tej Vetëvendosje thekson se minatorët në Bulqizë janë nën kërcënimin e përhershëm të pronarëve të galerive. Në fund të reagimit thuhet se përmes taktikave mafioze, dhuna ndaj minatorëve është e strukturuar dhe se veprime të tilla duhen dënuar e duhet të shërbejnë si thirrje për drejtësi sociale.

“Minatorët në Bulqizë janë nën kërcënimin e vazhdueshëm nga pronarët e kompanive që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe kushtet bazë të punës, mungesa e të cilave u ka marrë jetën me dhjetra minatorëve. Nga ana tjetër, kur minatorët janë organizuar për të mbrojtur të drejtat e tyre e për të kërkuar Statusin e Minatorit, ata janë kërcënuar në mënyra nga më të ndryshmet. Përmes taktikave mafioze, dhuna ndaj minatorëve është strukturore dhe e drejtpërdrejtë. Akte të tilla kriminale jo vetëm duhen dënuar njëzëri që të ketë përgjegjësi penale, por edhe duhet të shërbejnë si thirrje për angazhim për drejtësi sociale!” – mbyllet reagimi.