Vendosni fjalën kyçe....

Berisha tha se do merrte pjesë në mbledhje, Gazment Bardhi: E vendosin deputetët nëse duan apo jo një “non grata” në grup, askush nuk imponohet


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha se do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të thirrur nga Enkelejd Alibeaj.

Bardhi shkruan se deputetët duhet të kenë të drejtë të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur “non grata” nga SHBA-të duhet të jetë apo jo pjesë e grupit. Sipas tij, çdo sjellje që i imponohet grupit është e papranueshme.

“Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike. Askush nuk duhet t’i imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti.

Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur nongrata nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Deri atëherë askush nuk mund të imponohet.

Çdo sjellje tjetër që i imponohet me kokëfortësi grupit parlamentar, pa pyet dhe duke e injoruar atë, është e papranueshme dhe jo demokratike.”- shkruan Bardhi.

Berisha pak më herët në një deklaratë për mediet tha se do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar megjithëse nuk është ftuar nga Enkelejd Alibeaj. Sipas tij grupi parlamentar i PD-së nuk është i ndarë megjithëse shihet si i tillë.