Vendosni fjalën kyçe....

Eksploziv mjetit të Elton Debreshit, minatori kandidoi në zgjedhjet e 25 prillit


Eksploziv automjetit të Elton Debreshit, minatorit që kandidoi në zgjedhjet e 25 prillit si i pavarur.

“Rreth orës 01.00, datë 27.08.2021, në pjesën e përparme të automjetit të shtetasit E. D., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.”, njofton policia.

Debreshi, edhe pse nuk e fitoi mandatin e deputetit ka vazhduar të kritikojë kushtet e vështira në miniera, duke folur edhe për zaptimin e padrejtë të pasurisë kombëtare.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka reaguar pas ngjarjes së rëndë. Ajo deklaron që prej themelimit të kësaj sindikate, ndaj tyre ka pasur përndjekje e kërcënime ndërsa sot është mbërritur te tritoli.

Ata theksojnë se nuk do ndalen në misionin për të thënë të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e minatorëve pavarësisht kërcënimeve nga mafiozët, oligarkët e qeveritarët.

“Tritoli nuk mund ta ndalë përpjekjen tonë. Sot në orët e para të mëngjesit ka shpërthyer makina e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshit. Që prej themelimit të sindikatës sonë, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime. Sot arritën te tritoli. Mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që na marrin kromin duan të na marrin edhe jetën nëse themi të vërtetën dhe mbrojmë të drejtat tona. Po ne nuk heshtim. Ne nuk ndalemi.” – thuhet në reagimin e sindikatës.

Policia e Bulqizës ka dhënë një njoftim të shkurtër për shpërthimin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm duke bërë me dije se ka shoqëruar disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për njarjen.

Njoftimi

“Bulqizë/ informacion paraprak

Rreth orës 01.00, datë 27.08.2021, në pjesën e përparme të automjetit  të shtetasit E. D., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Dibër po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, dhe kapjen e autorëve.”