Vendosni fjalën kyçe....

Nga 1 shtatori, Kosova paralajmëron masa të rrepta, ora policore dhe orari i gastronomisë kundërshtohen nga të gjithë


Rritja e numrit të rasteve me COVID-19, por edhe rritja e numrit të viktimave ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të shqyrtojë miratimin e masave më strikte.

Në kuadër të masave të reja që pritet të zgjasin nga 1 shtatori deri më 13 shtator është paraparë edhe rikthimi i orës policore dhe shkurtimi i orarit të gastronomisë. Kundër këtij vendimi kanë dalë Oda Ekonomike dhe Shoqata e Gastronomisë.

Nga fillimi i muajit shtator në Kosovë po planifikohet të kthehet ora policore dhe të shkurtohet orari i gastronomisë, krejt kjo për shkak të situatës së rënduar me COVID.

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka njoftuar se gjatë një takimi me ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, janë paralajmëruar se së shpejti mund të vendosen masa të reja të kufizimit kundër përhapjes së koronavirusit.

Përmes një komunikate të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, thuhet se këto masa do të vlejnë deri më 13 shtator.

Sipas Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, këto janë disa nga masat që do të merren:

Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30;

Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës;

Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare;

Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura;

Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona;

Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit.

“Për shkak të numrit të madh të rasteve të të infektuarve me Covid-19 ju lusim t’i respektoni këto dhe masa të tjera që priten të hyjnë në fuqi së shpejti”, thuhet në njoftimin e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit.

Mirëpo, me këto masa nuk janë pajtuar të gjithë në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka treguar se  është kundër masave të tilla.

Rukiqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ora policore dhe kufizimet në orare nuk janë zgjidhje.

“Sot lufta me pandeminë ka armë tjera në dispozicion: vaksinimi masiv i kombinuar me masa të distancës sociale”, ka shkruar Rukiqi.

Më tej ai ka thënë se “ora policore dhe kufizimet në orare nuk janë zgjidhje”.

“Rastet me fatalitet dhe të hospitalizuarit janë nga kategoritë që nuk po vaksinohen. Nuk mund të vazhdojmë të paguajmë dëmin, e të papërgjegjshmëve që nuk po vaksinohen dhe të jokonsistencës në menaxhimin e pandemisë”.

Ai thotë se “kufizime të rrepta duhet të zbatohen, por në këtë rast, për ata që nuk po vaksinohen”.

Edhe kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi ka reaguar pas lajmeve se vendi pritet të mbyllet për shkak të përkeqësimit të gjendjes nga COVID-19.

Ai ka thënë se gastronomët nuk do ta pranojnë asnjë masë, pa u takuar me ministrin e Financave, Hekuran Murati për të diskutuar lidhur me mbështetjen financiare të gastronomisë.

“Situata është rënduar me Covid, ne nuk ngutemi si odat tjera me dhanë lajme, na shikojmë zgjidhje për situatën. Situata është rënduar, personalisht dje e kryva virusin e në shpi kom të infektum. Spitalet kanë kollapsu, e duhet bashkarisht të dalim nga kjo situatë që po përkeqësohet përditë. Nuk osht zgjidhje me i mbyll bizneset , zgjidhje osht me dal me plan financiar si mujna mi kompenzu kto dame ekonomike që do të shkaktohen”, shkroi në Facebook Kllokoqi.

Kllokoqi madje tha se më mirë është të mbyllen të gjitha, e të subvencionohen, se sa të punojnë pa mbështetje financiare.

“Shoqata e Gastronomëve asni masë nuk e pranon pa e takuar Hekuran Muratin për të diskutu mbështetjen financiare të gastronomisë! Shoqata e gastronomve ka inkuraju vaksinimin, ka bërë fushatë të vaksinimit dhe ka bërë obligim për anëtaret e saj që të vaksinohen të gjithë! Andaj, e lusim Qeverinë që të funksinojë si trung e jo si degë. Jemi të kuptueshëm ndaj situatës, mirëpo duhet kompenzim! Ma mirë të na mbyllni komplet e të na subvenciononi, se sa të na leni me punu në shi e të ftoftë, e pa mbështetje financiare!”, tha tutje Kllokoqi.

Ndër të tjera ai tha më mirë është të hapen qendra vaksinimi se sa të ashpërsohen masat.

Qeveria e Kosovës më 12 gushte ka miratuar vendimin për masat e reja kufizuese kundër COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi më 20 gusht.

Ndryshe, ditëve të fundit në Kosovë është shënuar rritje alarmante e numri të infektuarve me COVID-19. Ndërsa dje janë regjistruar edhe 18 viktima nga koronavirusi.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 2.295 raste të reja me koronavirus, bazuar në 12.406 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor