Vendosni fjalën kyçe....

Faji i qeverisë dhe i medies


Nga Agim Xhafka

Kam qënë në Orikum në datën 23 korrik kur pashë mbi kodra një zjarr që po rritej. Bëra foto dhe ua nisa plot mediave. Askund nuk u botuan. Qoftë dhe njëra. Ua nisa sërish me shënimin,ore po afrohet zjarri te Llogaraja,te pylli. Heshtje. S’ma vari kush. Mbase po e zmadhoj unë, thashë dhe e hoqa mendjen prej atyre flakëve. Të nesërmen në mëngjes u zgjova me Orikumin mbuluar nga tymi. Në ballkon hiri kishte pushtuar dyshemenë. Zbrita te makina, xhamat ishin me copéra bloze. Në plazh si nëpër filma me vampirë. Notonim mes tymit. Përballë jo sikur kishe njerëz, por sikur dilnin zombi. Ama asnjë lajm ende,asnjë zjarrfikëse e asnjë njeri i shqetësuar. Qeveria merrej me të mirat e minishengenit dhe me xhaketën e Ramës.

E kështu-kështu,tani pas 12 ditësh po na bëhet hataja. Zjarret kur nuk i ndal do ua shohësh tmerrin. U dyndën sot ministra dhe televizione. Por vonë, tepër vonë. Flaka ka marrë çatinë. Ashtu si me tërmetin që nuk kishim një qen tani mburremi se kemi një copkë helikopter. Ama mburremi, jemi në NATO.

Zjarret do shuhen. Ose nga që do digjen fare pyjet, ose nga që do bjerë shi. Faji këtë herë qe sa i qeverisë aq dhe i medias. I kësaj media që s’çan bythë për fatkeqësitë, por gjëmon e shumëfishon pordhët e çdo të fuqishmi.

Në fakt zjarri do bënte mirë nga nesër të dilte një xhiro andej nga televizionet,nga gazetat, portalet dhe në fund, kur flakët të forcohen le t’i bëjë një vizitë edhe qeverisjes sonë që mburret me kovën e helikopterit të vetëm ndërkohë që benzat ku venë bythët i kanë prodhim të orëve të fundit…