Vendosni fjalën kyçe....

212 viktima nga trazirat në Afrikën e Jugut


Numri i të vdekurve në Afrikën e Jugut ka shkuar në 212 mes protestave të dhunshme dhe plaçkitjeve.

Ministrja e përkohshme Khumbudzo Ntshavheni tha se 180 njerëz vdiqën në provincën lindore KwaZulu-Natal dhe 32 vdiqën në provincën e Gauteng, që përfshin Johanesburgun, qyteti më i madh i kombit.

Duke folur në një konferencë shtypi ajo tha se 2.554 arrestime ishin bërë që nga fillimi i protestave të dhunshme dhe plaçkitjeve, duke përfshirë 1.692 në KwaZulu-Natal dhe 862 në Gauteng.

Ajo tha se ushtria që ka dalë në rrugë për të rivendosur rendin e ka bërë si duhet detyrën e saj, duke siguruar qytetarët dhe bizneset nga dhuna e plaçkitja. Trazirat dhe plaçkitjet shpërthyen të enjten e kaluar pas burgimit të ish-presidentit Jacob Zuma.

Protestat filluan në provincën KwaZulu-Natal të Zumës dhe më vonë u përhapën në Johanesburg duke vazhduar për ditë me radhë.

Presidenti Cyril Ramaphosa të hënën autorizoi forcat e mbrojtjes për të mbështetur policinë në rivendosjen e rendit.