Vendosni fjalën kyçe....

Eurodeputetja greke pranon se i kërkoi të atit të fshihte paratë që kishte në banesë


Eurodeputetja greke Eva Kaili ka pranuar gjatë marrjes në pyetje në Belgjikë se i kishte kërkuar babait të saj të fshihte një pjesë të parave që ndodheshin në shtëpinë e saj, sipas raportimeve të revistës belge Knack dhe gazetës Soir.

Raportet e shtypit vënë në dukje se partneri i saj, Francesco Giorgi, kishte pranuar se ai ishte pjesë e një organizate të përdorur nga Maroku dhe Katari për të ndërhyrë në çështjet evropiane, dhe se sipas dokumenteve në zotërim të Soir dhe të përditshmes italiane Repubblica, Kaili ka “rrëfyer pjesërisht”, duke pranuar se i ka kërkuar babait të saj të fshihte paratë që ndodheshin në banesën e saj.

Babai i Kailit u arrestua më 9 dhjetor, në ditën e parë të një operacioni antikorrupsion të autoriteteve belge, në hotelin Brussels Sofitel me një valixhe plot me para. Sipas urdhrit të arrestit për eurodeputeten greke të lëshuar në të njëjtën ditë, ajo kishte pranuar se kishte udhëzuar babain e saj që të fshihte paratë.

Knack raporton se Kaili tha se ajo kishte ditur për aktivitetet e të shoqit me ish eurodeputetin Pier Antonio Panzeri në të kaluarën dhe se valixhet e mbushura me para ishin në banesën e saj. Aty thuhet se ish-prezantuesja “ka panik” kur policia ndaloi Giorgin teksa po dilte nga apartamenti i tyre më 9 dhjetor. Më pas ajo kontaktoi babanë e saj dhe gjithashtu u përpoq të paralajmëronte Panzerin dhe dy eurodeputetë të paidentifikuar që janë gjithashtu nën hetim.

Media shton se avokati belg i Kailit i dërgoi email revistës të hënën për të shprehur “zemëratë” që revista kishte qasje në këto dokumente dhe se rregullat nuk po respektoheshin, ndërsa pretendonte se raporti i saj i “rrëfimeve të pjesshme” ishte një “interpretim i njëanshëm”.