Vendosni fjalën kyçe....

Mateo Salvini: Për mua Shqipëria të jetë e para që anëtarësohet në BE, mbaj flamurin kuqezi në zyrë


Kreu i partisë Lidhja dhe ish-ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka dhënë opinionin e tij mbi shtyrjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë nga Bashkimi Evropian.

Në një intervistë për gazetaren Alba Kepi të RTV Ora, Salvini u shpreh se nga raportet me Shqipërinë sipas këndvështrimit të tij i sjell përfitime BE-së. Ai u shpreh se ka miq shumë të mirë në Shqipëri dhe se kryeministri Edi Rama ka qenë i pari që e uroi për fitoren e Italisë në “Euro 2020”.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë e Italisë janë antike, solide, leale. Kam miq të mirë në Shqipëri dhe në qeverisjen aktuale e po ju them një kuriozitet se Kryeministri shqiptar, qe i pari që më dërgoj urimet për fitoren e Italisë si kampione e Evropës dhe e falenderoj. Dëgjohemi shpesh me të, më ka ftuar në Shqipëri dhe mendoj se shumë shpejt do të vizitoj vendit tuaj.

Mendoj se Evropa ka të gjithë interesin që duhet për të vazhduar marrëdhëniet e mira me vende mike e vende të reja. Shqipëria është një vend që po rritet ekonomikisht, si dhe në kulturë e në të gjitha këndvështrimet. Vetëm mund të përfitojmë nga shtimi e rritja e raportit me këto vende si Shqipëria ashtu dhe Serbia, janë vende pranë që na lidh historia e kultura e shpresoj tek e ardhmja.”- deklaroi Salvini.

Ai u shpreh se vendet si Shqipëria e si Serbia që janë më pranë vendeve të BE-së për nga historia, gjuha e kultura duhet të jenë të parat që bashkohen në krahasim me Turqinë. Por theksoi se ka disa norma të BE-së që përbëjnë pengesa.

“Në të shkuarën Bashkimi Evropian është zgjeruar shumë shpejt (kufijtë e saj), pa u pasur bazë solide e rrënjë solide. Prej shumë vitesh po arsyeton për pranimin e vendeve shumë më të largëta me ne nga të gjitha këndvështrimet, dhe e them me respekt, për vende si Turqia. Ndërsa vendet më pranë nesh për nga historia, gjuha, kultura, ekonomia si Shqipëria e Serbia, duhet të jenë të parat sipas mendimit tim. Por kujdes e po ju paralajmëroj se disa norma të funksionimit të Bashkimit Evropian, ka raste që janë pengesa. Por mendoj se nëse familja zgjerohet do të jetë një gjë pozitive për të dyja palët.”- tha kreu i partisë Lidhja.

Një tjetër çështje për të cilën u pyet Salvini është lidhur me qëndrimin e tij ndaj emigrantëve. Ai u shpreh se ka respekt për emigrantët shqiptarë të cilët janë të integruarit më mirë në Itali. Ai madje zbuloi se mbante një flamur shqiptar në zyrën e tij.

“Absolutisht jo nuk e kam me shqiptarët. Komuniteti i emigrantëve shqiptarë është ndër më të integruarit mirë në Itali e ndër më të shumtat në numër. Në Milanon time kam, në zyrën time, ndoshta do kemi mundësi të bëjmë një intervistë dhe aty, kam një flamur shqiptar që më është dhuruar nga disa anëtarë të komunitetit tuaj. E tashmë kam kuptuar se pas fotografive më kërkojnë të përshëndes duke kryqëzuar duart si shqiponja. Uroj të takohemi në Shqipëri, kam dëshirë ta vizitoj vendit tuaj pasi nuk kam qenë kurrë me shpresën se nuk do të kemi më probleme me Covid e kufizime lëvizjesh.”- shprehet ai.