Vendosni fjalën kyçe....

Balla për arrestimet nga SPAK: PS-ja s’bëhet dot pis nga asnjë individ


Taulant Balla ka thënë sot se PS-ja nuk mban asnjë përgjegjësi me të gjithë eksponentët e saj që kapen në shkelje ligjore e kanë probleme me drejtësinë.

Kreu i grupit parlamentar e bëri deklaratën pas takimit me zv.kryeministrin e Malit të Zi, Abazoviç, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë.

Sipas Ballës, përgjegjësia e tyre është personale dhe ata nuk do kenë asnjë mbrojtje nga PS-ja, duke sjellë si shembuj arrestimet e fundit nga SPAK.

“Kur ne kemi mbështetur prej ditës së parë reformën në drejtësi, ka qenë bindja jonë që institucionet e reja të reformës në drejtësi duhet të godasin këdo që shkel ligjin dhe që shpërdoron financat publike të këtij vendi. PS ka vendosur një standard që uroj dhe u bëj thirrje të gjitha forcave të tjera politike të bëjnë të njëjtën gjë. Fatos Tushe nuk është më pjesë e Partisë Socialiste, ka detyrimin ligjor të bëjë një betejë të tijën ligjore dhe ndërkohë që edhe zonja në fjalë që ju i referoheni sepse këtë standard ne e kemi vendosur prej shumë kohësh dhe PS nuk ka asnjë dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për çdo person i cili këtë betejë dhe këtë hesap e ka personal me drejtësinë. Ju mund të jeni në dijeni që këto ditë kanë qenë dhe dy kryetarë bashkish, nga LSI dhe nga PD në hesapet e drejtësisë, që një u dënua dhe tjetri në hetim dhe dallimin mund ta bëni shumë thjeshtë. Reagimi i PS gjithmonë do jetë i njëjtë. PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ që në një moment të caktuar ka marrë një mandat përfaqësimi nga PS.” – tha ndër të tjera Balla.