Vendosni fjalën kyçe....

Sondazhi i ‘The Economist’ – 40% e britanikëve kërkojnë mbajtjen e maskave përgjithmonë


Ndërsa qeveria e Boris Johnson planifikon të heqë të gjitha kufizimet e Covid-19 më 19 korrik, disa grupe po bëjnë fushatë kundër kësaj lëvizjeje, ndërsa një sondazh i ri tregon se një numër i konsiderueshëm britanikësh duan që disa masa të qëndrojnë përgjithmonë.

Një sondazh nga firma e hulumtimit të tregut Ipsos MORI, botuar nga ‘The Economist’ , zbulon se shumica dërrmuese e britanikëve mbështesin shumicën e kufizimeve të tanishme që të qëndrojnë përtej afatit të 19 korrikut dhe madje ‘derisa Covid-19 të jetë nën kontroll globalisht’.

Për më tepër, një pakicë e konsiderueshme tha se do të donte që disa masa të qëndronin në vend ‘përgjithmonë, pavarësisht nga rreziku’ nga koronavirusi.

Rreth një e treta e të anketuarve favorizonin distancimin e përhershëm shoqëror në pub-e dhe teatro, karantinë 10-ditore për ata që ktheheshin nga jashtë e masa të tjera të ngjashme. 40% ishin në favor të mbajtjes së detyrueshme të maskave në dyqane dhe në transportin publik si dhe miratimin e udhëtimeve vetëm me prova të vaksinimit.