Vendosni fjalën kyçe....

Piceria në Vlorë qëndronte hapur përtej orës policore, gjobitet me 10 milionë lekë të vjetra pronari, gjobë edhe 5 klientëve


Vijojnë kontrollet për respektimin e orës policore si nga ana e qytetarëve por edhe nga ana e bizneseve në qytetin bregdetar të Vlorës.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, efektivët e policisë kanë gjetur një piceri e cila qëndronte e hapur pas orarit të lejuar, dhe për këtë arsye pronari i këtij subjekti është gjobitur me 1 milionë lekë, apo me 10 milionë lekë të vjetra.

Ndërkohë 5 klientët që po hanin një picë janë gjobitur me 100 mijë lekë.

DETAJET E POLICISË

Vijon puna për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në lagjen “Lef Sallata”, Vlorë, kanë konstatuar një subjekt (piceri) që qëndronte i hapur në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

Nga shërbimet e Policisë, në bazë të Aktit Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020, është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A. L., si dhe 10 000 lekë për 5 klientë që u gjendën në këtë subjekt për mosrespektim të orës policore.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.