Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania arreston “agjentin e dyfishtë” që dyshohet se spiunonte edhe për Kinën


Autoritetet gjermane kanë arrestuar një ish-spiun të shërbimit sekret të Gjermanisë pas dyshimeve se kishte punuar njëkohësisht për Inteligjencën kineze, duke luajtur rolin e “agjentit të dyfishtë”.

Sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e Prokurorit, burri i identifikuar vetëm si Klaus L., pretendohet se furnizoi shërbimin sekret kinez me informacione për gati një dekadë, duke filluar në vitin 2010. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ai ishte informator për Shërbimin Federal të Inteligjencës Gjermane (BND).

Transmetuesi publik gjerman ARD njoftoi se burri, i cili tani ka arritur në moshën 75 vjeçare, siguroi BND me informacion për 50 vjet, duke bërë një “jetë të dyfishtë”.

Publikisht, ai ishte një shkencëtar politik i cili punonte për Fondacionin Hanns Seidel – një fondacion kërkimesh politike i lidhur ngushtë me Unionin Social Kristian (CSU), nga vitet 1980 deri në pension. Ai ka drejtuar gjithashtu një “think tank” që nga viti 2001.

I dyshuari u arrestua të hënën, në bazë të akuzave të ngritura në maj. Si pjesë e punës së tij, ky person udhëtoi shpesh jashtë vendit, për shembull si i ftuar për leksione në “ish-Bashkimin Sovjetik dhe më vonë Rusinë, Ballkanin, Afrikën e Jugut dhe Azinë e Jugut”.

Në vitin 2010, sipas zyrës së prokurorit, ai udhëtoi në Shangai për një leksion dhe u afrua “nga anëtarët e shërbimit inteligjent kinez në mënyrë që ta fitonin atë për bashkëpunim”.

“Më pas, deri në nëntor të vitit 2019, i pandehuri rregullisht siguronte informacione për shërbimin e inteligjencës kineze përpara ose pas vizitave shtetërore ose konferencave shumëkombëshe, si dhe për çështjet aktuale.”

Sipas ARD-së, i dyshuari nuk e mohoi që ai kishte spiunuar për Kinën, por këmbënguli se ai i kishte thënë BND-së për kontaktet e tij me kinezët, të paktën fillimisht.