Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Mandati i vendit të përkohshëm në KS rikonfirmon besueshmërinë për Shqipërinë


Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij me rastin e pritjes për marrjen e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Rama në fjalën e tij tha se kjo ngjarje është impakti më i madh në historinë e diplomacisë shqiptare.

Sipas Kryeministrit mandati në KS rikonfirmon një standard besueshmërie dhe maturie për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është jo thjesht një sukses i madh, më i madhi për nga përmasat e impaktit në historinë e diplomacisë shqiptare, por edhe një arsye për të kuptuar se Shqipëria mund dhe duhet të bëjë më shumë për veten dhe për tjerët, sidomos për rajonin tonë. Në vendimin e 11 qershorit në asamblenë e përgjithshme domethënia më e madhe ishte marrja e besimit nga 175 vende.

Kjo e Shqipërisë është një arritje domethënëse edhe për Ballkanin Perëndimor, që është ulur në tryezën e përfaqësueses më të madhe në botë vetëm një herë. Pas kryesimit të OSBE, ku lamë një përshtypje të mirë, them se ulja jonë në Këshillin e Sigurimit të OKB rikonfirmon një standard besueshmërie dhe maturie për Shqipërinë.

Ky është një mësim inkurajues për të guxuar më shumë, për të besuar e punuar më shumë, që Shqipëria të bëhet më shpejt, ajo që me siguri do të bëhet një ditë. Afrimi i asaj dite është sfida dhe angazhimi ynë. Unë, së bashku me shumicën e zgjedhur, do ta jetojmë këtë sfidë si arsyen kryesore për t’u zgjuar më herët dhe për të fjetur më vonë, për t’u angazhuar më shumë, për të guxuar, besuar e punuar me të gjitha fuqitë tona, që kjo dekadë të bëhet dekada e ngjitjes, ku dielli të shkëlqejë për të gjithë shqiptarët.

Jetojmë në kohëra jo të lehta, që për ne shqiptarët u rënduan nga tërmeti, që i parapriu pandemisë globale, ku dhe ne u përballëm me agresionin frontal të virusit. Edhe mënyra si ja dolëm këtyre ngjarjeve them se është arsye për të guxuar, punuar më shumë. Tërmeti do të jetë jo vetëm një kujtim i së shkuarës, së shpejti, për familjet që humbën shtëpinë. Po ashtu pandemia, që na sprovoi deri në fund, po na provoi se Shqipëria mund të rreshtohet mes atyre që mund të ngjiten lart. Më bëri një vërejtje të bukur e kuptimplotë një mendje e kthjellët Vlerat që ti i quan evropiane, kur flet për BE, nuk janë vlera ekskluzive të BE, por janë vlera globale.

Sot Ballkani nuk do të ishte i ndarë, deri dhe për vaksinat kundër vdekjes, nga BE, edhe pse jeton fizikisht i rrethuar nga kufijtë e BE, megjithatë në asnjë mënyrë nuk duhet mohuar se është shumë më mirë të jesh i rrethuar nga kufijtë e BE, se sa nga telat me gjemba, brenda të cilëve ishte i izoluar ky vend, kur u anëtarësua nga Kombet e Bashkuara, dhe u deshën tre dekada për të parë nga vetja aftësinë e të qenit të barabartë në tryezat ndërkombëtare”, tha kryeministri Rama.