Vendosni fjalën kyçe....

Policia i gjeti në shtëpi 22 qese me heroinë, arrestohen dy persona në Gjilan


Policia e Kosovës ka konfiskuar 22 qese apo afro 2 kilogramë heroinë në banesën e dy personave në Gjilan.

Policia kishte dyshime se personi me inicialet Sh.I., ishte duke bërë shitblerje të substancave narkotike.

 I njëjti person kishte edhe urdhër-arrest aktiv të Gjykatës Themelore të Gjilanit me 18 muaj e 40 ditë burg efektiv. Pas veprimeve aktive, i dyshuari është identifikuar, ndaluar në rrugën “Shaban dhe Sami Ukshini” dhe është arrestuar nga autoritet policore të anti-drogës.

Policia thotë se ka kontrolluar edhe shtëpinë e një të dyshuari tjetër me inicialet F.A., nip i të dyshuarit të parë. Në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar një peshore elektronike (digjitale) si dhe 17 (shtatëmbëdhjetë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Heroinë.

Pesë pako të tjera me heroinë janë gjetur edhe në banesën e të dyshuarit të parë, duke e çuar në 22 pako numrin e tyre.

“Po ashtu, bastisje është bërë edhe në banesën e të dyshuarit të parë (Sh.I.), në rr. “Hamdi Kurteshi” me ç’ rast në cilësi të provës materiale është gjetur dhe sekuestruar një peshore elektronike (digjitale) si dhe (5) pesë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Heroinë.

Pas matjes së substancës së dyshuar narkotike ka rezultuar se: Shtatëmbëdhjetë (17) qeset me Heroinë kanë peshuar 1 kg e 713.8 gram kurse pesë (5) qeset me Heroinë të sekuetruara në banesë kanë peshuar 30.6 gram.”– njofton Policia.

Si provë/dëshmi që mund të nderlidhen me rastin është sekuestruar edhe një veturë Golf 4, ngjyrë hiri, e të dyshuarit me inicialet Sh.I. Nipi i tij me inicialet F.A. është ndaluar për 48 orë dhe rasti i tij do të procedohet për hetime të mëtejme.