Vendosni fjalën kyçe....

“Te Mundësia e dinim që do ishte rrugë e vështirë, të bindur se do ia dalim. Mandati i dytë s’preket” – Barbara Doda


Kordinatorja e Partisë Mundësia për Tiranën, Barbara Doda, rrëfeu mbrëmjen e sotme përvojën e saj në fushatën zgjedhore të 11 majit, rrugëtimin në politikë dhe ambiciet e saj.

E ftuar në emisionin “Zona e lirë” me gazetarin Arjan Çani, kandidatja e Mundësisë në Qarkun Tiranë pohoi se që në nisje të rrugëtimit me partinë, ishin të vetëdijshëm për vështirësinë e rrugës që kishin zgjedhur për një politikë ndryshe, me parime, të ndershme përballë partive të vjetra.

Doda tha se me kreun e Partisë Mundësia Agron Shehaj ishte njohur në vitin 2021 kur ishin të dy në PD dhe vendosën të nisnin një rrugë ndryshe.

“Në fushatë unë nuk isha një imazh femëror, isha Barbara. Duke qenë se jam më e re në moshë jam më e mësuar me rrjetet sociale. Jam takuar me Agronin në 2021-shin dhe jam bërë pjesë e fushatës së tij. Kam qenë në PD dhe aty jam njohur. Ne kuptuam se PD nuk mund të ndryshonte ne dhe duhet të ndryshonim ne. Hyra dhe kisha shumë ambicie por pasi u numëruan votat i bëra pyetje vetes: Nëse një vit më parë do e dije se do merrje kaq vota, a do kisha punuar e luftuar njësoj, përgjigja ishte pa mëdyshje, po.E dinim që do ishte rrugëtim shumë i vështirë. Kemi luftuar shumë të gjitha që të kishim një rezultat më të mirë. Në procesin e numërimit kanë qenë PS, PD e PSD, nuk besoj se ka mundësi që votat e Partisë Mundësia të preken. Jam e bindur se mandatin tonë nuk e prekin dot sepse ne i kemi marrë ato vota. Jam idealiste dhe besoj në vlera. Shumë mendojnë se sinqeriteti të pengon, unë them të kundërtën. Po bëjmë një rrugë të drejtë, kam besuar se kjo ishte gjëja e drejtë për t’u bërë. Ambicia ime është që një ditë të jem kryeministre. E kam pasur kur kam qenë shumë më e vogël.” – tha Doda.