Vendosni fjalën kyçe....

Një shqiptar shpëton nga zjarri fqinjët e moshuar në Finlandë


Një shqiptar është kthyer në hero në komunitetin ku jeton në Finlandë, pasi u shkoi në ndihmë fqinjëve të tij, të cilët rrezikoheshin të digjeshin nga një zjarr i madh.

Gazeta finlandeze “Helsingin Sanomat”, raportoi të enjten për një zjarr të madh që shpërtheu në Minttutie të Finlandës, të mërkurën në mbrëmje. Nga zjarri u shkatërrua tërësisht një shtëpi.

Shefi i zjarrfikësve Juha Virolainen, tha se shtëpia me tarracë ishte në fazën e një zjarri të plotë kur brigada e zjarrfikësve mbërriti në skenë. Ai nuk mundi dot të tregonte arsyen e zjarrit.

Nga ndërtesa me tre apartamente, vetëm një prej apartamenteve u shpëtua. Një i ri shqiptar, Mergim Halili, i cili jeton në lagjen e shtëpisë së Djegur, thotë se ai dhe e dashura e tij ndihmuan një çift të moshuarish të dilnin nga një prej apartamenteve.

Halili thotë se ata vunë re se tymi po ngrihej nga shtëpia e fqinjëve dhe u nisën për të parë çfarë po ndodhte. Ndërsa flakët po shtoheshin, ata vendosën të kontrollonin nëse kishte njerëz brenda në apartamente. Sipas Halilit, ata trokitën në derën e shtëpisë dhe i ranë ziles.

“Të moshuarit e hapën derën kur trokitëm. Ata duket se nuk ishin të vetëdijshëm për zjarrin që kishte rënë.”- thotë Halili.

Sidoqoftë, të rinjtë ishin në gjendje ta ndihmonin çiftin të dilte nga banesa, pasi zjarri sipas shqiptarit, u përhap me të vërtetë shpejt.

Në të njëjtën kohë, kalimtarë të tjerë kontrolluan për t’u siguruar që nuk kishte më njerëz brenda në apartamente, përpara se të mbërrinin zjarrfikësit.

Një dëshmitari okular i cili u prezantua vetëm si Albi, tha se disa nga banorët kishin dalë tashmë, por ai dhe dy burra të tjerë vazhduan kërkimin.

Albi thotë se e thirri dy herë numrin e urgjencës. Ai shtoi se në kohën kur mbërritën zjarrfikësit, “të gjithë banorët ishin tashmë jashtë”.

Sipas Albit, fqinjët kishin ndihmuar ata që kishin humbur shtëpitë dhe u kishin siguruar strehimin e përkohshëm. Zjarrfikësit thanë se në vendin e ngjarjes u dërguan mbi dhjetë njësi shpëtuese dhe se puna e tyre zgjati rreth dy orë e gjysmë.