Vendosni fjalën kyçe....

Policia nxjerr pamjet nga operacioni “Shpirti”: 200 veta në aksion, sekuestruam 2 armë dhe 60 mijë euro


Policia ka publikuar pamjet nga operacioni ndërkombëtar i koduar “SHPIRTI”, për goditjen e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Në një njoftim për mediet, Policia ka njoftuar se gjatë arrestimit të personave të dyshuar, janë sekuestruar edhe 2 armë zjarri dhe dhe një shumë parash prej rreth 60 mijë eurosh.

 “Për ekzekutimin e masave të sigurisë të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit “SHPIRTI”, janë angazhuar 200 forca policore nga reparti special Renea, FNSH Tiranë e Fier, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Gjirokastër e Durrës.

Operacioni është zhvilluar në kushte të larta sigurie për forcat policore pjesëmarrëse, në të njëjtën kohë në të gjitha qarqet, për ekzekutimin e urdhrave të lëshuara nga Gjykata.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 2 armë zjarri dhe rreth 60 mijë euro.

Interpol Tirana dhe Fast Albania po bashkëpunojnë me homologët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të këtij operacioni.”– thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Policia e Shtetit thotë përmes këtij njoftimi se edhe në këtë operacion tregoi “profesionalizëm të lartë dhe besueshmëri te partnerët, e shprehur kjo edhe gjatë konferencës së përbashkët të zhvilluar paraditen e sotme në ambientet e SPAKU-t, nga krerët e policive dhe agjencive ligjzbatuese pjesëmarrëse në këtë operacion.”

Po ashtu siguron qytetarët dhe homologët se është shumë e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të punuar dhe bashkëvepruar me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim parandalimin, evidentimin, hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar në cilëndo fushë që ai shfaqet.