Këtë të mërkurë “Open Data Albania” në një konferencë, ka bërë analizën e të dhënave mbi Prokurimet për Shëndetësinë, duke zbuluar se pandemia i ka kushtuar shtetit shqiptar miliarda lekë.
Vetëm për blerjen e vaksinave kundër Covid-19 janë shpenzuar 3.1 miliardë, ndërsa dyfishi ka shkuar për tenderat për blerjen e oksigjenit, dezinfektuesve, mjeteve mbrojtëse, aparaturave të nevojshme për spitalet, etj.
SHPENZIMET PËR VAKSINAT
Kështu, sipas prezantimit të “Open Data”, përsa i përket procesit të vaksinimit, që prej fillimit të tij me datë 11 janar të vitit 2021, janë kryer në total 901 mijë e 429 vaksina. Prej tyre 375 mijë e 629 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.
Numri më i lartë i dozave të administruara është nga vaksina kineze Sinovax, më pas vjen Astra Zeneca dhe e treta Pfizer. E kartërta vjen vaksina ruse SputnikV.
Vaksina kineze duket të jetë edhe vaksina më e shtrenjtë për dozë, plot 29.75 dollarë për dozë, ndërsa më e lira ajo e Astra Zenecës, me 5.25 dollarë për dozë (kliko këtu).
BLERJET PËR OKSIGJEN
Ndërkohë, përsa i përket blerjeve për oksigjen (kliko këtu për të dhënat) janë shpallur gjithsej 33 tendera nga 15 institucione tenderuese, ku vlera totale e kontraktuar është 2 miliardë e 114 milionë e 242 mijë e 355 lekë.
Janë dy kompani kryesore të cilat kanë përfituar pjesën më të madhe të kësaj shumë, GTS-Gazra Teknike Shqiptare me 20 kontraktime që shkojnë mbi 1.9 miliardë lekë, ndërsa MESSER ALBAGAZ me 9 kontraktime që shkojnë mbi 196 milionë lekë.
SHPENZIMET E TJERA
Sipas të dhënave të mbledhura nga “Open Data”, janë shpenzuar mbi 953 milionë lekë për mjete mbrojtëse. Bëhet fjalë për 40 kontraktime nga 20 institucione.
Ndërkohë, vetëm për tamponët dhe testet serologjike janë shpenzuar mbi 952 milionë lekë. Ndërsa për blerjen dhe mirëmbajtjen e aparaturave në spitale janë shpenzuar mbi 200 milionë lekë. Edhe këtu kompanitë fituese duket të jenë të njëjtat, me GTS që ka fituar pjesën më të madhe, me mbi 145 milionë lekë./Hashtag.al