Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Kushtetuese vendos hapjen 100% të listave, rrëzohet herësi për ndarjen e mandateve


Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e partive Bindja Demokratike e Lëvizja Demokratike Shqiptare për ‘herësin’.

Dy partitë në fjalë kishin kërkuar shfuqizimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit të miratuar në vitin 20202 të Kodit të ri Zgjedhor ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka pranuar pjesërisht kërkesën.

Ajo ka vendosur shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Me këtë vendim të gjykatës, mandatet nuk do shpërndahen më sipas herësit ndërsa ka vendosur hapen 100 për qind të listave për zgjedhjet pasardhëse.

Çfarë thotë pika 3 nën nenin 163 të Kodit Zgjedhor:

‘Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse.’

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë ‘Bindja Demokratike’ dhe partinë ‘Lëvizja Demokratike Shqiptare’, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.

– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar.”