Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria blen një tjetër sasi vaksinash nga “Pfizer” (VENDIMI)


Qeveria shqiptare ka blerë një tjetër sasi vaksinash nga kompania ‘Pfizer Overseas LLC’. Vendimi është marrë të mërkurën e 16 qershorit, pra një ditë më parë gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Në VKM nuk bëhen me dije shumë detaje nga kjo marrëveshje për shkak të sekretit tregtar. Pra nuk dihen as dozat e porositura dhe as çmimi i tyre.

Megjithatë, thuhet që kostoja për blerjen e kësaj sasie të re të vaksinave do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.

“Efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.”- thuhet në vendimin e qeverisë, të firmosur nga zv.kryeministri Erion Braçe.

Kujtojmë se për momentin në vendin tonë kanë mbërritur 956,250 doza të vaksinës anti-COVID, ndërkohë që në total janë administruar 850 mijë vaksina. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vazhdimisht kanë deklaruar se objektivi është që të arrihen 1 milionë vaksinime brenda muajit Qershor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *