Policia e Fierit ka zbuluar pamjet nga aksioni i RENEA-s dhe Forcave të Posaçme Operacionale, që u zhvillua mbrëmjen e kaluar në këtë qytet.
Përmes një njoftimi për mediet, bëhet me dije se gjatë kontrolleve policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municione luftarake.
Lidhur me posedimin e armës është arrestuar një 27-vjeçar, i cili rezulton me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve kundër jetës, drogës e armëmbajtjes pa leje.
I riu Indrit Hoxhaj (Kuçi) akuzohet se gjatë kontrollit të RENEAS në ambientet e një lokali në lagjen “Fermë-Çlirim”, sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre të shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH dhe DVP Fier, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.
Si rezultat, në lagjen “Fermë-Çlirim”, në ambientet e një lokali, gjatë kontrollit të zhvilluar nga Renea, shtetasi I. H.(K)., 27 vjeç, sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë. Gjatë këqyrjes së çantës, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj armën e zjarrit pistoletë me dy karikatorë me fishekë luftarakë dhe kartën e identitetit të 27-vjeçarit.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit I. H. (K)., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.