Vendosni fjalën kyçe....

Dekriminalizimi rrëzon një tjetër kryebashkiak socialist, Prokuroria: Ismailaj rezulton i dënuar në Greqi


Prokuroria ka përfunduar procesin e verifikimit për kryebashkiakun socialist të Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili rezulton me probleme në ligjin e Dekriminalizimit.

Pas denoncimit të Partisë Demokratike dhe kryerjes së hetimeve, Prokuroria ka arritur në përfundimin se Qerim Ismailaj ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi.

Në përfundim të hetimeve, Organi i Akuzës thekson se “Deklaruesi Qerim Ismailaj, me funksion kryetar i Bashkisë Mallakastër, rezulton i dënuar me veprim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale, nga autoriteti gjyqësor i huaj. Referuar vendimit 9-11/2000 të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë, rezulton se i akuzuar Qerim Ismailaj (në mungesë në gjykim), është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale të ‘Konfliktit’/ ‘Përleshjes’, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që i korrespondon veprës penale të ‘dëmtime të tjera me dashje’ parashikuar nga neni 90/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila si sanksion parashikon dënim vetëm me gjobë”.

Kujtojmë se një tjetër kryebashkiak që është rrëzuar pas denoncimeve të PD-së është edhe ai i Vorës, Agim Kamjaku. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim nga drejtësia.