Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja e kredisë 50 milionë euro për transportin urban në Tiranë mbërrin në Kuvend


Mundësimi i një sistemi më të shpejtë autobusësh në kryeqytet duke u përqendruar në tre korridore kryesore do të jetë në fokus të një studimi fizibiliteti të mbështetur nga qeveria gjermane për Bashkinë Tiranë. Tashmë  kredia 50 milionë euro dhënë nga qeveria gjermane në kuadër të projektit “Transport i qëndrueshëm në Tiranë” ka mbërritur në Kuvend për të filluar diskutimet.

Ky projekt ka nisur që prej vitit 2019 në vend dhe qëllimi sipas relacionit që e shoqëron marrëveshjen synon t’i japë mundësi implementimit të një sistemi të transportit publik me kapacitet të lartë (BRT) në qytetin e Tiranës, mbështetur në fizibilitetin dhe projektin teknik, që do të mundësohen nga studimi i konsulencës.

“Fizibiliteti dhe studimi i zhvillimit të projektit për sistemin BRT (Bus Rupid Transit) të Tiranës” do të shohë nga afër zgjidhjet alternative për disa nga korridoret e transportit urban në kryeqytet dhe konkretisht linja lindje-perëndim nga Kinostudio në Kombinat, Unaza (unaza e tretë e Tiranës) dhe Tirana e Re (pjesa qendrore dhe perëndimore e qytetit).

“Bashkia e Tiranës ka planifikuar të zhvillojë një sistem transporti me kapacitet të lartë (BRT), mbështetur në fizibilitetin dhe projektin që po hartohet me ndihmën dhe asistencën e KFË-së. Ky program zhvillimi për transportin publik me kapacitet të lartë (BRT) mbështetet në një alternativë, e cila garanton një zgjidhje afatgjatë e të qëndrueshme, miqësore me mjedisin, si dhe me kosto të pranueshme në raport me sistemet e tjera me kapacitet të lartë të transportit “thuhet në dokument.

Por cilat do të jenë detajet që do të ketë në fokus studimi që po mbështetet nga qeveria gjermane në funksion të projektit për transportin në Bashkinë e Tiranës?

Studimi në proces do t’u japë përgjigje disa prej pikëpyetjeve që kanë autoritetet sa i takon   së pari kapacitetit të nevojshëm të sistemit të transportit (BRT) për përballimin e kërkesës për transport. Së dyti zgjidhjen e problemeve teknike të projektit infrastrukturor.

Së treti modelin e funksionalitetit. Së katërti aspektet ligjore e kontraktimin, si dhe nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, si referuar përmbajtjes së saj, synohet t’i paraprihet zgjedhjes së çështjes financiare për investimin e nevojshëm lidhur me zhvillimin e një sistemi të transporti (BRT) në Bashkinë e Tiranës.

Vetëm pak javë më parë Bashkia e Tiranës hoqi nga përdorimi abonenë e përgjithshme për linjat e transportit urban duke e cilësuar këtë lëvizje si pjesë të projektit të saj.

Bashkia njoftoi se kjo do të ishte e përkohshme edhe pse pati disa zëra që e kundërshtuan si lëvizje duke nënvizuar se kjo do të rëndonte kostot për qytetarët që janë të detyruar gjatë ditës të ndryshojnë disa linja urbane për të arritur në destinacionin e tyre të punës apo anasjelltas për t’u kthyer në shtëpi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *