Vendosni fjalën kyçe....

KLGJ pezullon deri në fund të hetimeve kryegjyqtaren e Elbasanit Enkeleda Kapedani


KLGJ ka pezulluar deri në fund të hetimeve kryegjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani.

Vendimi është marrë pas përfundimit të mbledhjes së sotme që kishte në rend dite çështjen e Kapedanit lidhur me publikimin në TikTok të disa videove të filmuara në mjediset e Gjykatës së Elbasanit.

Inspektoriati i Lartë i Drejësisë kërkoi pezullimin e Kapedanit, pasi sipas kreut të këtij institucioni, Artur Metani, ajo kishte diskretituar figurën e magjistratit.

Në fjalën e saj gjatë mbledhjes, Kapedani tha se po bëhej kokë turku nga personat që nuk kishin arritur të përfitonin nga ajo.

Po kështu kryegjyqtarja theksoi se në punën e saj prej 7 vitesh nuk ishte kapur asnjëherë me shkelje dhe as ishte përfolur ndonjëherë për korrupsion.

Kapedani dha dorëheqjen në seancën e sotme në KLGJ duke shtuar se duhej vlerësuar për punën e saj dhe jo për videot e bëra që sipas saj nuk ishin për publikim. Ajo tha gjithashtu se shumë prokurorë e gjyqtarë kanë TikTok, Instagram e Facebook e vetëm ajo po sulmohej, pasi dikujt mund t’i ketë shkelur në kallo gjatë punës së saj.

Magjistratja tha në fund të fjalës së saj se ILD-ja e KLGJ-ja duhet të zhvishen nga emocionet e të merrnin një vendim bazuar në fakte dhe të mos shkatërronin karrierën e saj bazuar te klikimet e krimi që e do jashtë gjykatës.

“Sot, në datën 7.6.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për pezullimin nga detyra të magjistrates Enkeleda Kapedani, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, deri në përfundimin e procedimit disiplinor. Në vijim të procedurave, Këshilli, pasi dëgjoi argumentet përkatëse, vendosi pezullimin nga detyra të magjistrates deri në përfundimin e procedimit disiplinor, si dhe i kërkoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore që i atribuohet. Këshilli i Lartë Gjyqësor, i angazhuar për rikthimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, siguron opinionin publik se i kushton vëmendje të veçantë sjelljes etike të gjyqtarëve jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, por edhe jashtë saj. Nga ana tjetër, Këshilli garanton respektimin e të drejtave kushtetuese të gjyqtarëve, në lidhje me prezumimin e pafajësisë dhe zhvillimin e procesit të rregullt ligjor, deri në përfundimin e procedimit disiplinor.” – thuhet në njoftimin e KLGJ.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *