Vendosni fjalën kyçe....

Ethet e arit po çojnë në furrat e shkrirjes orët luksoze të vjetra


Ora Constellation e kompanisë Omega është promovuar në fushata publicitare, filma dhe madje është ekspozuar në Met Gala nga yje si George Clooney dhe Nicole Kidman, duke u shndërruar në një simbol të luksit dhe elegancës.

Por, me çmimet e arit pranë niveleve rekord të arritura në janar, disa prej këtyre orëve klasike po shkrihen, pasi vlera e arit që përmbajnë ka tejkaluar çmimin që mund të siguronin në tregun e rishitjes.

Sipas intervistave të Reuters me më shumë se një duzinë tregtarësh, ekspertësh të industrisë dhe këshilltarësh të investimeve, modelet e përdorura nga marka si Omega dhe TAG Heuer e grupit LVMH janë më të prekura nga kjo dukuri.

Tregtari britanik Jon White, pronar i Gold Traders, shkriu në maj një Omega Constellation 18-karatëshe të fundit të viteve 1970, në gjendje shumë të mirë. Ajo ishte një nga dhjetëra orët luksoze të zakonshme që ai ka dërguar për shkrirje këtë vit, ndërsa kërkesa për ar është rritur.

“Një orë e bukur. Por në të vërtetë, nëse klienti do ta kishte nxjerrë në ankand, çfarë do të kishte fituar?” tha White, i cili gjithashtu menaxhon një shtëpi ankandesh.

Sipas tij, sasia e arit në këtë model Omega vlente 5,750 paund (7,749 dollarë), rreth 35% më shumë sesa vlera e saj e vlerësuar në ankand, që ishte midis 4,000 dhe 4,500 paundëve.

Andre Lamdin, themelues i platformës amerikane të orëve të përdorura Analog Shift, tha se shkrirja “po ndodh kryesisht me orët moderne të përdorura dhe me orët e vjetra që nuk konsiderohen koleksione”.

Përfaqësuesit e Swatch dhe Rolex refuzuan të komentojnë për Reuters, ndërsa LVMH, Richemont, Patek Philippe dhe Audemars Piguet nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Ari i lëngshëm

Çmimet e arit u rritën në një rekord prej 5,600 dollarësh për ons në janar, pasi shqetësimet gjeopolitike dhe tensionet tregtare shtynë investitorët drejt metaleve të çmuara, të konsideruara si strehë e sigurt.

Aktualisht, ari tregtohet rreth 4,200 dollarë për ons, pothuajse dyfishi i mesatares së vitit 2024.

Megjithatë, çmimet e orëve të përdorura nuk kanë ndjekur të njëjtën tendencë.

“Më duket shumë e trishtueshme, sepse sapo një objekt shkrihet, ai humbet përgjithmonë”, tha Adrian Hailwood, specialist i historisë së orëve.

Nuk ekzistojnë statistika zyrtare për numrin e orëve luksoze që po shkrihen. Të dhënat e Këshillit Botëror të Arit tregojnë se riciklimi global i arit u rrit me 5% në tremujorin e parë të vitit, në 366 ton, ndërsa kërkesa për bizhuteri ari u rrit me 31% në vlerë, duke arritur në 47 miliardë dollarë.

Orët mund të përmbajnë nga disa gramë deri në më shumë se 200 gramë ar, duke bërë që vlera e tyre si skrap të arrijë dhjetëra mijëra dollarë. Tek Omega Constellation, ari gjendet si në kasë ashtu edhe në rrip.

Me parashikimet që ari mund të arrijë nga 5,400 deri në 6,300 dollarë për ons këtë vit, presioni për të çmontuar dhe shkrirë disa modele pritet të vazhdojë, veçanërisht pasi tregtarët që i rishesin duhet të mbulojnë kostot dhe garancitë.

Edhe orët e reja të prodhuara në sasi të tepërta mund të përfundojnë në furrat e shkrirjes.

“Kam parë shumë orë krejtësisht mesatare që janë shkrirë”, tha Lamdin.

“Ka shumë stok të pashitur në tregun zviceran. Këto orë janë praktikisht të reja, të papërdorura, dhe thjesht po çmontohen. Janë prodhuar shumë.”

“Por kur bëhet fjalë për një orë të vjetër, të rrallë, me histori dhe karakter, atëherë kjo bëhet një tragjedi afatshkurtër.”

Kurthi i rishitjes

Markat e nivelit të lartë që kontrollojnë fort prodhimin, si Patek Philippe dhe Rolex, ruajnë vlera shumë më të larta sesa vlera e arit që përmbajnë, sipas ekspertëve të industrisë, shkruan Reuters.

“Për disa modele, listat e pritjes janë marramendëse. Mund të flasim për periudha nga dy deri në tetë vjet”, tha Simon Lazarus, drejtues i marrëdhënieve me publikun në platformën Chrono Hunter.

Sipas Vontobel, Rolex përfaqësoi vitin e kaluar 61% të vlerës së shitjeve të orëve të reja zvicerane me çmim mbi 3,000 franga zvicerane, nga 57% në vitin 2023, pavarësisht rënies së volumit të shitjeve.

Marka më pak ekskluzive si TAG Heuer, Breitling dhe Omega e kanë më të vështirë të justifikojnë çmimet e larta të modeleve të reja, pasi konsumatorët mund të blejnë të njëjtat modele të përdorura me çmime shumë më të ulëta.

Ekspertët thonë se modele si Omega Speedmaster humbasin ndjeshëm vlerën sapo shiten, duke i bërë më të ekspozuara ndaj shkrirjes.

Të shesësh apo jo?

Rritja e çmimeve të arit e shtyu inxhinierin e pensionuar nga Nju Jorku, Mitchell Talisman, të shiste në dhjetor dy orë ari dhe një zinxhir që përmbanin gjithsej 35 gramë ar me pastërti 58%, duke përfituar 2,660 dollarë.

“Kisha më shumë se 10 vjet që i mbaja në një kasafortë,” tha ai për Reuters.

Megjithatë, për shumë pronarë, ideja që ora e tyre të përfundojë e shkrirë nga një tregtar është e papranueshme.

“Mund të jetë një trashëgimi familjare, mund të jetë ora e tyre e parë”, tha Hailwood.

“Ata nuk e pëlqejnë idenë që ajo të shkatërrohet, ndaj zgjedhin ta mbajnë.”