Vendosni fjalën kyçe....

Kim Jong-un rrit luftën ndaj filmave të huaj, zhargoneve dhe modeleve të flokëve të ndikuara nga perëndimi


Koreja e Veriut kohët e fundit ka prezantuar një ligj të ri gjithëpërfshirës i cili kërkon të shfarosë çdo lloj ndikimi të huaj – duke ndëshkuar ashpër këdo që kapet me filma të huaj, veshje apo edhe duke përdorur zhargon. Por pse?

Yoon Mi-so thotë se ajo ishte 11 vjeç kur pa për herë të parë një burrë të ekzekutohej sepse ishte kapur me një film-dramë të Koresë së Jugut.

Siç shkruan BBC, e gjithë lagjja e tij u urdhërua të shikonte se si do ndodhte vrasja.

“Nëse nuk e bënit, do të klasifikohej si tradhti.”- i tha ajo BBC-së nga shtëpia e saj në Seul.

Rojet e Koresë së Veriut po siguroheshin që të gjithë ta dinin se dënimi për kontrabandën me video të paligjshme ishte vdekja.

“Unë kam një kujtim të fortë të njeriut që i kishin lidhur sytë, unë ende mund të shoh lotët e tij që rridhnin. Kjo ishte traumatike për mua. Lidhësja e syve ishte lagur plotësisht nga lotët e tij.

Ata e vunë në një kunj dhe e lidhën, pastaj e qëlluan.”- tregon Mi-so.

‘Një luftë pa armë’

Imagjinoni të jeni në një gjendje bllokimi të vazhdueshme pa internet, pa media sociale dhe vetëm me disa kanale televizive të kontrolluara nga shteti të dizajnuara për t’ju thënë atë që udhëheqësit e vendit duan të dëgjoni – kjo është jeta në Korenë e Veriut.

Dhe tani udhëheqësi i saj Kim Jong-Un e ka shtrënguar më tej, duke futur një ligj të ri gjithëpërfshirës kundër asaj që regjimi e përshkruan si “mendim reaksionar”.

Kushdo që kapet me sasi të mëdha mediash nga Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara ose Japonia tani përballet me dënimin me vdekje. Ata që kapen duke parë përballen me kampin e burgut për 15 vjet.

Dhe nuk ka të bëjë vetëm me atë që njerëzit shikojnë. Kohët e fundit, Kim shkroi një letër në mediat shtetërore duke i bërë thirrje Lidhjes Rinore të vendit për të goditur “sjelljen jo të këndshme, individualiste, anti-socialiste” midis të rinjve. Ai dëshiron të ndalojë fjalimin e huaj, modelet e flokëve dhe rrobat e frymëzuar nga vendet e huaja, të cilat i përshkroi si “helme të rrezikshme”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *